Dje një gjykatë në Pensilvani shpalli fajtore prokuroren e Përgjithshme të këtij shteti, Kathleen Kane lidhur me akuzat për dëshmi të rreme. Zonja Kane akuzohej se kishte informuar një gazetar lidhur me të dhënat e një procesi gjyqësor në përpjekje për të dëmtuar një prokuror rival dhe pastaj kishte gënjyer para jurisë në lidhje me këtë incident:
Procesi gjyqësor kundër Kathleen Kane shoqërohej me nuanca të forta politike. Zonja Kane, demokrate, akuzohej se ishte përpjekur të hakmerrej kundër një ish-prokurori rival, Frank Fina, duke nxjerrë hollësi nga diskutimet e një jurie të madhe, të cilat ia kalonte një gazetari me synimin për ta diskredituar ish-prokurorin. Më pas, sipas akuzave, zonja Kane kishte gënjyer para jurisë lidhur me veprimet e saj.
Avokatët mbrojtës të zonjës Kane konfirmojnë se ajo ka nxjerrë informacion në shtyp, por thonë se synimi ishte të nxirrej vetëm informacion ligjor, siç është praktikë në këto raste dhe se nuk ishte në dijeni se ndër informatat që i përcolli gazetarit, ndihmësit e saj kishin përfshirë edhe të dhëna nga diskutimet e jurisë së madhe, që përbën shkelje ligji. Avokatët thonë se ishte një gabim pa motivacion nga ana e zonjës Kane dhe se ata kanë në plan ta vazhdojnë betejën ligjore:
“Vendimi për shpallje fajtore lidhur me të gjitha akuzat ishte një goditje e rëndë, por nuk e kemi humbur vendosmërinë. Do ta vazhdojmë betejën ligjore sepse besojmë se klientja jonë është akuzuar pa të drejtë në këtë çështje”, tha avokati mbrojtës Seth Faber.
Sapo u shpall fajtore, guvernatori i shtetit të Pensilvanisë, Tom Wolf i kërkoi menjëherë dorëheqjen zonjës Kane.