U promovua në UET libri i historianit dhe autorit gjerman Klaus-Peter Muller (Peter Marxheimer) “Për në Shqipëri, Karl”, sjellë në shqip nga përkthyesi Armand Plaka dhe me parathënie nga prof. dr. Nevila Nika. Në këtë roman historik, me mjaft fakte interesante, përmes dellit letrar autori hedh dritë mbi ngjarjet e një periudhe të trazuar në historinë e Shqipërisë
Si ndodhi që një princ gjerman, nga Rini, të vinte e të ulej në fronin mbretëror të Shqipërisë, siç na dëshmon viti 1914? Një ngjarje jetëshkurtër dhe jo e lavdishme, por që shenjon historinë e shqiptarëve. Kjo pyetje e vetme në dukje, që përmban dhjetëra enigma, ngacmoi autorin dhe historianin gjerman Klaus-Peter Muller gjatë një vizite në Shqipërinë komuniste të fund viteve ’70, teksa po merrej me punimet doktorale.
U deshën shumë vite kërkime e hulmutime, zhbirilime arkivash, dokumentesh e dëshmish biografike, që autori, nën pseudonimin Peter Marxheimer, të sillte në 2007 librin “Për në Shqipëri, Karl”. Ai nis për në Shqipërinë e 1914 korrespondentin e një gazete vjeneze, Karl Rihter, i cili vëzhgon dhe prek nga afër rrethanat dhe problemet e asaj periudhe të zymtë për ballkanin dhe Europën.
“… Karl Rihteri udhëton në shkurt, Vilhelm Vidi një muaj më vonë nëpërmjet Adriatikut, drejt shtetit të krijuar rishtazi në dukje të pavarur me emrin Shqipëri. Të dy personazhet përjetojnë përgjatë gjashtë muajve një kohë trazirash, plot shpresa, përpjekjesh dhe rifillimesh, por edhe intrigash, luftrash dhe mjerimi në qytetin që sot quhet Durrës, e që asokohe, për herë të parë dhe të fundit në historinë e Shqipërisë ishte edhe kryeqytet”. Kështu shkruan autori në parathënien e librit teksa thekson se Princ Vidi u ngarkua me një detyrë pothuajse të pamundur për të krijuar një ngrehinë shtetërore në një ish-provincë osmane.
Nga ana tjetër, korrepondentit iu kërkua të analizojë e përshkruajë të gjitha ngjarjet e asaj kohe. Për fat, ai takon disa personazhe, njohës shumë të mirë të rrethanave politike, si: baronesha Ameli fon Godin, Miss Durham, por edhe arrin të marrë rrëfimet e personazheve të rëndësishme të kohës, si Ekrem Bej Vlora e Dervish Hima.
Në një libër me 491 faqe, historiani i sprovuar disa herë në gjininë e letërsisë, arrin të trillojë një ngjarje me të vërteta historike, me një gjuhë të rrjedhshme që e bën romanin të lexohet me një frymë. Libri u shqipërua nga Armand Plaku në vitin 2020, por për shkak të pandemisë promovimi i tij u shty, për t’u sjellë rishtazi në vëmendje.
“Edhe pse me vonesë, libri nuk e ka humbur vlerën e vet”, u shpreh prof. dr. Nevila Nika, e cila ka shkruar parathënien e librit. Duke u ndaluar në ngjarjet kryesore që i paraprinë ardhjes së princit gjerman, historianja tha se nëse rrëmon në fondet arkivore e ke shumë të vështirë të krijosh një përfytyrim se çfarë ndodhte në Shqipëri e në trevat shqiptare gjatë viteve 1912- 1920.
Kjo jo vetëm për të kompleksitetit që përmban ajo periudhë e pandriçuar sa duhet, por edhe për shkak se dokumentacione të rëndësishme të kohës janë djegur edhe zhdukur.
“Ardhja e Princ Vidit pranohet nga pjesa më e madhe e elitës shqiptare e kohës, por edhe nga populli. Por ai nuk arriti të kishte në administrim të gjithë territoret e banuara nga shqiptarët, për shkak të lëvizjeve të brendshme, si edhe të pranisë së trupave ushtarake të huaja. Lëvizja e Haxhi Qmilit do të ishte një kryengritje shkatërrimtare që do t’i japë fund çdo gjëje që ishte ngritur. Ajo do të shkatërrojë të gjitha dokumentet, arkivat dhe kemi pasur një humbje të madhe”, tha profesorja.
Në këtë kontekst, ajo shprehu admirimin për punën e kryer nga autori gjerman pë të sjellë një roman historik mbështetur mbi ngjarje e personazhe reale të botës politike shqiptare e europiane të atyre viteve, ndërsa vlerësoi përkthimin e Armand Plakut, duke e quajtur një shqipërim mjeshtëror nga një njohës i mirë i gjuhës shqipe.
“Në fund pasi e lexova pashë se ka referenca pafund arkivore. Ka thurur një roman mbi histori të vërteta. Ka parë mjaftueshëm dokumente për të krijuar idenë se çfarë ndodh në Shqipëri pasi qeveria e Ismail Qemalit detyrohet të japë dorëheqjen, në një komplot ndërkombëtar dhe bashkëatdhetar.”
“Një libër krejt ndryshe nga sa jemi mësuar rëndom të kemi në duar, e pikërisht për këtë arsye ia vlen të lëçitet me një frymë”, u shpeh Nika, e bindur se autori ka marrë mbresa të forta nga udhëtimi në Shqipëri, të cilat e dhanë frytin e bukur në këtë libër.
Përkthyesi Armand Plaka rrëfeu njohjen me autorin gjerman përmes miqve të përbashkët, të cilët e njohin Shqipërinë. Në fillim kur i folën për librin, ai nuk ishte i fort i bindur. “Profesor unë rrezikoj shumë me këtë libër, sepse ai është më shumë një punim shkencor sesa një libër letrar”, ishin fjalët e tij drejtuar autorit. Sigurisht nuk e pati dhe aq të lehtë të gjente një shtëpi botuese, ndërsa pas rënies në kontakt me profesore Nikën dhe UET Press, arriti ta finalizojë me sukses botimin.
Plaka rrëfeu se pas leximit të librit, ai gjeti veten te Karli, personazhi i trilluar i Peter Marxheimer. Gjeti dy pasionet e tij, historinë dhe letërsinë, të cilat shoqërojnë edhe korrespondetin gjerman në gjithë rrugëtimin e tij në tokën shqiptare.
“Unë nuk kam mbaruar histori, por kam dy-tre kontribute modeste dhe shpesh njerëzit më njohin në këtë drejtim. Përkthimin nuk e kam ndarë asnjëherë. Personazhi është gazetar dhe ngjan me udhëtimin tim në këtë drejtim. Unë nuk kam qenë gazetar terreni apo i një sektori të caktuar, por i kam prekur të gjithë. Kam qenë redaktor i suplementit “Ndryshe” në gazetën “Shqip” që më ka dhënë sadisfaksion, për sa kohë kam punuar. Nga ana tjetër kam qenë i brumosur me pasionin për historinë”, tha ai.
Ekskluzivitet të autorit e qujti ndërthurjen e veçantë që bëhet në libër mes realitetit dhe trillit letrar, rrëfimit historik dhe fiction-it, duke vlerësuar burimet e shumta të panjohura për shqiptarët, për ngjarje të asaj kohe që vijnë përmes rrëfimesh, mendimesh e kujtimesh të personaliteteve të ndryshme, të gjetura në bibliotekat e disa qyteteve gjermane.
“Ka një bibliografi të pasur që na shfaqet në fjalorin bibliografik por edhe atë topografik. Jo thjesht një autor librash, por një vëzhgues sqimtar. Ka dashur që të lërë gjurmën e tij”, nënvizoi Armand Plaka.
Ai tregoi më tej edhe bisedën me autorin, pas botimit në shqip të librit, i cili kishte mbetur i befasuar nga realizimi, duke ndarë edhe një foto me librat e tij, atë në origjinal dhe atë të sjellë në shqip.
Libri ka marrë komente dhe vlerësime të mira nga lexuesit dhe ekspertët e fushës. Një prej tyre është historiani e studiuesi gjerman dr. Michael Schmidt- Neke, i cili shkruan: “Nëse jeni në kërkim të një hyrje të hulumtuar në mënyrë jashtëzakonisht të përpiktë, të përcjellë lehtësisht me një gjuhë të kuptueshme për lexuesin, që lidhet me një episod veçanërisht të ndërlikuar të historisë europiane, këtu keni gjetur librin e duhur”.