Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në podcastin e radhës ka folur për një nga prioritetet kryesore në program që është zgjidhja e problemit të pronave. Basha tha se siguria e pronës fut Shqipërinë në orbitën e vendeve të zhvilluara.
Kthimi i pronës fizikisht, ose kompensimi me vlerë të plotë sipas termit aty ku është prona e tjetërsuar, sipas Bashës do të mundësojë që ekonomia shqiptare të ecë përpara.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Ky është një problem të cilin prek shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Kështu që në qoftë se do të donit të bënit një përfaqësim të vërtetë do të ishte e madhe sa Shqipëria. Por këtu kemi besoj raste të spikatura të pronarëve, të trashëgimtarëve të pronave të cilët flasin vet me kalvarin e pronave të tyre, të familjeve të tyre.
Problemi i pronës siç e the, është problem jetik për çdo individ, për njerëzit, por është dhe një problem jetik për shoqërinë për vendin, për ekonominë. Arsyeja kryesore pse ekonomia shqiptare nuk bën përpara, është mungesa e sigurisë së pronës, krah për krah me mungesën e sigurisë juridike. Nëse për të dytën ka nisur një reform në drejtësi që ka për qëllim pikërisht përmes vettingut të largojë ata gjytarë të korruptuar, që njësojë siç bën me, siç e provuam së fundmi me vulën e Partisë Demokratike, tjetër gjë me tjetërsime të paligjshme që kanë bërë pronarë ata që nuk kanë prona, apo nuk i kanë pronat e tyre dhe kanë marrë pronat e pronarëve, pronat e baballarëve, nënave të pronarëve për t’ua dhënë të tjerëve, për t’i tjetërsuar.
Dimensioni tjetër shumë i rëndësishëm ka të bëjë me ekonominë e vendit. Nëse siguria e pronës rivendoset, Shqipëria hyn menjëherë në orbitën e vendeve të zhvilluara. Dhe për këtë arsye në programin tonë prona zë një vend kryesor. Mund ta themi me gojën plotë, që në programin tonë të shpalosur në 1 qershor, reforma më e madhe është reforma e pronës. Është kthimi i pronës fizikisht, ose kompensimi me vlerë të plotë sipas termit aty ku është prona e tjetërsuar.
Dikush mund ta marrë këtë si një lëvizje të një partie të djathtë. Për herë të parë e kanë thënë që e bëmë këtë për pronarët. Dhe padiskutim nuk e fshehim, po edhe kjo është. Por kjo është një lëvizje, ky është një akt, është një reformë pa të cilën Shqipëria nuk bëhet dot pjesë e Bashkimit Europian. Nuk bëhet dot pjesë e një vendi që zhvillohet nën anormalitet. Anormaliteti që e ndjek kudo në jetët tona, ka në gjenezë mes dy tre elementëve të tjerë anormalitetin e situatës së pronës. 80% e shqiptarëve nuk kanë ende pronat. Dhe këtë e dimë sepse janë shtresë pas shtrese, të shpronësuarit nga komunizmi, pronat e zaptuara pas viteve 90 dhe një pirg po kaq i madh çështjesh gjyqësore të cilat ose nuk kanë marrë përgjigje, ose kanë marrë përgjigje të paligjshme duke shpronësuar për herë të dytë pronarët legjitim.
Në momentin që reforma e pronës kryhet dhe kërkon vizion, guxim dhe vendosmëri që të kryhet, në këtë moment Shqipëria hyn në modernitet. Dua ta them që ky është një moment që vendet e tjera e kanë kaluar shekuj më parë. Prona kthehet në kolateral, financa kthehet në pronë, prona kthehet në financë dhe në këtë mënyrë ekonomia zhvillohet. Prandaj edhe për ata që nuk e gjejnë veten e tyre si pronarë të shpronësuar apo që u është grabit prona, do ta gjejnë veten e tyre, sepse me përfundimin e kësaj reforme, mirëqenia e Shqipërisë do të dyfishohet në atë moment. Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë do të rritet me 3, 4, 5 herë më shumë se sot. Sepse miliarda euro prona, troje, toka të pakolateralizuara që qëndrojnë jashtë sistemit bankar, papritur do të bëhen pjesë e sistemit bankar, e sistemit financiar, e sistemit të kreditimit, e sistemit të zhvillimit. Dhe për këtë arsye, kjo reform zë vendin qëndror si reforma e rëndësishme që Demokratët Euroatlantikë të marrin përsipër të nisin dhe të përfundojnë brenda mandatit të parë.