Pronarët e shpronësuar të komunizmit zvarriten në procesin e rikthimit të pronave

Orhan Jegeni, 80 vjeç, inxhinier mekanik në pension, është një nga zërat kryesorë mes ish-familjeve të pasura të Shqipërisë, pronat e të cilëve u sekuestruan nga komunistët pas Luftës së Dytë Botërore dhe që sot janë duke luftuar për të rifituar asetet e tyre të humbura.
Ai është një nga trashëgimtarët e fundit të familjes Frashëri, e cila nxori një numër patriotësh dhe shkrimtarësh të famshëm, përfshirë vëllezërit Abdyl, Naim e Sami Frashëri, të cilët krijuan një pjesë të lëvizjes për rilindje kombëtare në fund të shekullit të 19, lëvizje që udhëhoqi përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane në vitin 1912.
Para ardhjes së komunistëve, gjyshërit e tij, Mehmet Frashëri dhe Vesime Toptani Frashëri, kishin 100 hektarë tokë në pronësi në periferi të Tiranës si dhe disa shtëpi në qytetin e Tiranës.
Orhani qe vetëm 10 vjeç kur Lufta e Dytë Botërore përfundoi dhe regjimi komunist i Enver Hoxhës mori kontrollin, duke sekuestruar pasuritë e të pasurve.
“Mbaj mend dëshpërimin tonë si fëmijë, kur ata sekuestruan edhe lojërat tona në oborr”, rikujton ai.
Gjatë viteve që pasuan, të gjitha pronat e familjes u sekuestruan me përjashtim të një shtëpie në Tiranë, ku ai dhe familja e tij e numërt jetoi në kushte të vështira për shumë dekada.
Në të njëjtën kohë, emrat e paraardhësve të tij iu vunë shkollave, rrugëve dhe monumenteve në të gjithë vendin.
Ata vuajtën vështirësitë e asaj kohe si të gjithë shqiptarët e tjerë, duke ëndërruar rënien e regjimit një ditë dhe duke shpresuar se do të merrnin pronat e trashëguara.
Ndryshimet politike më në fund erdhën në vitet 1990, por qeveria e re që mori pushtetin nuk e lejoi familjen Jegeni dhe gjashtë familjet e tjera trashëgimtare të merrnin pronat që dikur qenë nën pronësinë e Frashërllinjve dhe Toptanëve.
“Pata jetë të vështirë, duke kërkuar pronat e familjes dhe ajo që vijon të më mbajë duke i kërkuar është thjeshtë nostalgji”, tha ai për BIRN.
“Nuk pata menduar kurrë që çështja jonë do të zvarritej në këtë mënyrë. Kjo qe përtej imagjinatës”, shtoi ai.
Familja e tij dhe shumë familje të tjera janë ende duke vuajtur në përpjekje për të rimarrë pronat e tyre, apo së paku, të marrin kompensimin financiar.
Orhani u bë një nga zërat në këtë betejë që kur ai kërkoi të drejtat ligjore për veten dhe familjen e tij në vitin 1994.
Ndërkohë, që nga fillimi i viteve 1990, dhjetëra mijëra njerëz zbritën në Tiranë nga pjesa tjetër e vendit ku zaptuan toka dhe ndërtuan shtëpi pa të drejta pronësie dhe pa leje ndërtimi.
Në vitet që pasuan, qeveria miratoi ligje që mundësuan legalizimin e pronave të zaptuara dhe të shtëpive pa leje. Politikanët shpresuan se këto ligje do t’i sillnin atyre popullaritet dhe do t’i mundësonin të rizgjidheshin.
“Rreth 70 për qind e pronave tona në periferi të Tiranës tashmë janë të zëna nga të ardhurit që u sollën nga politikanë që deshën të fitonin politikisht”, tha Orhan për BIRN.
Në shtator 1996, Komisioni për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave e njohu të drejtën e tyre të pronësisë për 208,696 metra katrorë tokë.
Por deri tani familja e tij ka arritur të rimarrë efektivisht pas shumë vitesh betejash ligjore vetëm 7,452 metra katrore në periferinë e largët të Tiranës.
Pasi pritën për shumë vite për të marrë pjesën tjetër të tokës, apo kompensim financiar, në korrik 2010 familja e dërgoi çështjen e tyre në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Dy javë më parë, më 17 mars, vendimi erdhi më në fund, duke e detyruar qeverinë shqiptare të paguajë 3.3 milionë euro për trashëgimtarët e familjes Frashëri si kompensim për pjesën e mbetur prej 201,244 metrash katrorë, pronë që qe njohur nga qeveria shqiptare si e tyrja, por që nuk qe kompensuar financiarisht.
Jegeni i tha BIRN se, familjet janë rraskapitur nga zgjatja e proceseve gjyqësore dhe ka gjasa do ta pranojnë vendimin e Strasburgut pa e ankimuar, megjithëse disa prej tyre mendojnë se kompensimi i dhënë është tepër i ulët.
“Unë duhet të pranoj këtë shumë kundër arsyes për shkak se trashëgimtarët e tjerë janë lodhur dhe nuk duan ta apelojnë”, tha ai.
“Unë do t’ia jap shumicën e këtyre parave që do të marr nga vendimi i Strasburgut dy djemve të mi që jetojnë me familjet e tyre jashtë vendit dhe që do të bëjnë pas kësaj një jetë më të mirë”, shtoi ai.
“Por unë do të vijoj betejat e tjera për pronat e familjes, për shkak se paratë që do të marr do të më ndihmojnë të mbuloj shumë më tepër shpenzimet që kam akumuluar gjatë këtyre viteve, duke luftuar për të drejtat tona”, tha ai.

Exit mobile version