Pronari i kompanisë së ndërtimit i arrestuar në Malin e Zi për trafik droge, Pjerin Ndreu i jep tender 700 mijë euro

Edhe pse pronari i kompanisë së ndërtimit ‘Alesio 2014’ është arrestuar për trafik droge në Malin e Zi, kompania e tij përfiton tendera mijëra euro nga Bashkia e Lezhës. Kreu i këtij institucioni vendor Pjerin Ndreu, e ka shpallur këto kompani fituese të një tenderi rindërtimi, me fond limit rreth 700 mijë euro

SYRI TV

Pronari i kompanisë së ndërtimit “Alesio 2014”, Anton Gjinaj u arrestua në prill 2021 në Mal të Zi, pasi rezulton se është i dënuar me 8 vjet burgim në Spanjë, si pjesë e një grupi kriminal që trafikonin lëndë narkotike.

Megjithatë, kompania e tij vijon e pashqetësuar të fitojë tendera multi-milionësh, të zhvilluar nga drejtuesit e “Rilindjes”.

Pak ditë më parë, Bashkia e Lezhës, e drejtuar nga socialisti Pjerin Ndreu, ka shpallur kompaninë “Alesio 2014” fituese të një tenderi rindërtimi, me fond limit 76.4 milionë lekë të reja, ose rreth 700 mijë euro.

Sipas dokumenteve të tenderit, objekti i kontratës është “Shembja e njësive individuale të banimit të pabanueshme, të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019 dhe transportimi i materialeve të dala nga shembja e tyre”. Kohëzgjatja e kontratës është 80 ditë nga nënshkrimi i saj, i cili është nënshkruar në 14 korrik 2021.

Në tender kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë. Shoqëria “Alesio 2014” ka paraqitur ofertën më të ulët, me vlerë 75.4 milionë lekë të reja, duke u shpallur edhe fituese e tenderit. Kompania ndërtimore “Alesio 2014” u vendos në qendër të vëmendjes publike disa muaj më parë, pasi pronari i saj, Anton Gjinaj, u prangos nga autoritetet malazeze. Gjinaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore spanjolle, pasi ishte dënuar me 8 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafik narkotikësh.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjinaj është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës, në zonat përreth qyteteve të Murcia dhe Alicante.

Ndërkohë, në Shqipëri, Gjinaj ishte një biznesmen, i cili njohu sukses të menjëhershëm në sektorin e ndërtimit, si edhe në tenderat publikë. Prej vitit 2016, Anton Gjinaj, nëpërmjet kompanisë “Alesio 2014” rezulton ortak me qeverinë shqiptare në kompaninë “Foralb Alabastër”, e cila ka si objekt nxjerrjen, përpunimin dhe eksportimin e gipsit dhe alabastrës.

Ligji shqiptar i prokurimeve ndalon nënshkrimin e kontratave publike me kompanitë, të cilat kanë pronarë apo aksionerë persona të dënuar për pjesëmarrje në organizata kriminale.

Megjithatë, ky ndalim duket se nuk është lexuar nga Pjerin Ndreu, një ish-titullar me përvojë të gjatë në radhët e forcave të sigurisë.

Tenderi 700 mijë euro për “Alesio 2014” vjen në një moment, kur kryeministri Edi Rama ktheu vëmendjen e tij drejt prokurimeve publike të dyshimta, pas 8 vjetësh në krye të qeverisë.

Rama kërcënoi publikisht kryetarët e bashkive, të emëruar në shumicë absolute prej tij, se do të dërgonte në SPAK këdo që do të hartonte procedura, të cilat i konsideroi “tendera grabitqarë”.

Por, pavarësisht këtij kërcënimi, shumë prej të emëruarve prej tij në nivel qendror apo lokal vijojnë me zhvillimin e tenderave të dyshimtë, duke krijuar bindjen se kërcënimet e Ramës ishin thjesht shou i radhës mediatik i kryeministrit.

Exit mobile version