Edurim Teqja, administratori i kompanisë “3R”, që merret me menaxhimin e landfillit të Sharrës, ku para disa ditësh u gjet i vrarë 17-vjeçari Ardit Gjoklaj, ka qenë i dënuar në Itali për vjedhje. Ndërsa në Itali ai është dëbuar, në Shqipëri është shpërblyer dhe graduar me punë drejtuese në ndërmarrje shtetërore. Skandali është denoncuar publikisht në rrjetet sociale nga deputeti i PD, Genc Pollo. Në një postim në Facebook, Pollo shkruan se Edurim Teqja është dëbuar nga Italia për vjedhje, ndërsa në vendin tonë është emëruar drejtor i OSHEE. “E. Teqja, pronar i ‘3R’, me licencë monopol ekstra nga Veliaj; i dyshuar për vdekjen e Ardit Gjoklajt 17 vjeç. E. Teqja, i dënuar për vjedhje, dje ‘espulso’ nga Italia, sot shef në OSHEE. Veliaj as dhe një gjysmë fjale”, shkruan Genc Pollo.
Edurim Teqja, kreu i PS Peqin është në kërkim prej tre ditësh. Nuk dorëzohet! Me licencë ekstra nga Veliaj për landfillin Sharrë ai akuzohet për vdekjen e 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj. Kompania “3R” që drejtohet nga Teqja me qendër në Peqin është përzgjedhur nga Veliaj për të menaxhuar landfillin e Sharrës. Dokumentet zyrtare tregojnë se vitin e kaluar të ardhurat e kompanisë “3R” u rritën me mbi 3.3 herë krahasuar me vitin 2014. Më konkretisht, nga 15.8 milionë lekë xhiro që realizoi në vitin 2014, një vit më vonë të ardhurat e kompanisë kërcyen në 52.5 milionë lekë. Për të njëjtën kohë, fitimi neto i saj u pesëfishua.
Por zgjerimi i vrullshëm i “3R” SHPK ka vazhduar. Në shkurt të këtij viti, ajo ka hapur një adresë dytësore në landfillin e Sharrës, ndërsa në maj ka marrë dhe lejen mjedisore për një stacion transferimi për mbetjet jo të rrezikshme me kapacitet 840 ton në muaj në landfillin e Sharrës.
Ishte vetë Veliaj që përzgjodhi kompaninë “3R” për menaxhimin e mbeturinave në landfillin e Sharrës. Menjëherë pas nisjes së punës nga kjo kompani në landfill, Bashkia nisi një aksion ndëshkimesh ndaj grumbulluesve individualë të mbetjeve në kryeqytet, shumica e të cilëve vijnë nga komuniteti rom për të favorizuar firmën e përzgjedhur nga Veliaj.
Të dielën në landfillin e Sharrës u gjet i vdekur 17-vjeçari, Ardit Gjoklaj, i cili ishte punonjës sezonal aty. Për këtë ngjarje tragjike u arrestuan katër persona të kompanisë “3R”, ndërsa pronari i saj, Edurim Teqja u shpall në kërkim.
Pse e mohuan punëtorët e Sharrës njohjen me 17-vjeçarin e vrarë
Gjykata e Tiranës la në burg pa afat dje 3 nga 4 të arrestuarit e dy ditëve më parë për vrasjen e 17-vjeçarit Gjoklaj në landfillin e mbeturinave në Sharrë. Gjykata la në burg Besnik Brahan, përgjegjës i firmës “3K” SHPK, Edmond Kollarin, drejtues ekskavatori dhe Dëfrim Hakramën, përgjegjës turni. Vetëm për përgjegjësin e punonjësve Bujar Daja është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Përpara gjykatës të akuzuarit deklaruan se nuk e njohin adoleshentin dhe nuk e kishin idenë se si ai kishte hyrë në landfill.
Familjarët e viktimës thanë se djali i tyre kishte kohë që punonte në këtë landfill për të siguruar paratë e shkollës. Atëherë si shpjegohet që të akuzuarit bënë këtë deklaratë përpara gjykatës? Burime pranë grupit hetimor thanë se i riu punonte në të zezë dhe për këtë shkak ata e kanë mohuar njohjen me të. Sipas të njëjtave burime Gjoklaj ka punuar me vëllain e tij në firmën “3R” SHPK të Edurim Teqes, nga Peqini, çdo ditë turn i tretë që nga 1 korriku deri më 6 gusht kur edhe humbi jetën.
Pronari i firmës është ende në kërkim nga policia. Familjarët kanë akuzuar se djali i tyre është vrarë dhe trupi u fsheh për më shumë se 10 orë. Ardit Gjoklaj, u gjet i vdekur ditën e dielë në vendin e grumbullimit të plehrave në Sharrë, me dëmtime të shumta në kokë, trup dhe gjymtyrë.
R.POLISI