Pronat, turpi i qeverisë shqiptare del në Strasburg

Agim TORO

Më datën 9 maj 2016 në disa media u botua lajmi se një delegacion i nivelit të lartë i kryesuar nga ministrat Ahmetaj dhe Manjani shkoi në Strasburg dhe takuan Presidentin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), Guido Raimondi, ku kërkuan as më shumë e as më pak që GJEDNJ të ndërpresë vendim-marrjen për çështjet që pronarët shqiptarë kanë ankimuar në atë gjykatë.
Lindin këto pyetje dhe kemi këto përgjigje:
– Pse pronarët shqiptarë i janë drejtuar Strasburgut?
Sepse politika shqiptare që ka drejtuar Shqipërinë këto 25 vjet vetëm ka gënjyer pronarët, sepse gjykatat shqiptare nuk zbatojnë Kartën Europiane të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, por janë të korruptuara dhe zbatojnë vetëm porositë e politikës. Lidhja e ngushtë politike – sistem i drejtësisë është bazë e kësaj situate dhe politikanët janë të qetë se nuk ka kush t’i dënojë.
– Çfarë ka vendosur GJEDNJ?
Në të gjitha rastet në favor të pronarëve duke e detyruar shtetin të paguajë për pronat që nuk i kthen fizikisht.
– Çfarë i thanë ministrat z. Guido Raimondi?
Se ligji i ri e zgjidh problemin.
– A i zgjidh ligji i ri kërkesat e pronarëve për pronat që për 25 vjet klasa politike shqiptare i trajtoi sipas interesave klanore?
Jo.
– Po qe se me ligjin e ri zgjidhjet janë në përputhje me vendimmarrjet e GJEDNJ atëherë pse kërkohet pezullimi i vendimmarrjeve nga ajo e nderuara Gjykatë?
Sepse GJEDNJ nuk gjykon si qeveria shqipatare, por konform Konventës që qeveria shqiptare megjithëse e ka nënshkruar e shkel brutalisht atë dhe ligji i ri për trajtimin e pronave shkel të drejtat e pronarëve që ata i kanë të garantuara nga neni 181 i Kushtetutës.
– Cili është qëndrimi i Gjykatës së Strasburgut?
GJEDNJ në disa vendime të saj, e thekson se pagesa për pronat që nuk kthehen duhet bërë me çmimin e tregut sot dhe sipas zërit kadastral sot.
– Ku është ndryshimi?
Tek çmimi arbitrar dhe disa qindra herë më i ulët.
– Pse shkuan ministrat në Strasburg?
Të ndalojnë vendimmarrjen
– Mos mendon qeveria se mund të urdhërojë GJEDNJ siç urdhëron Gjykatën Kushtetuese shqiptare, e cila sipas urdhërit të qeverisë nuk pranoi kërkesën e pezullimit të ligjit deri në marrjen e vendimit përfundimtar ?
Unë personalisht nuk mund ta mendoj që një qeveri, e kujdo shteti, të ndikojë në një gjykatë ndërkombëtare siç është GJEDNJ që ajo mos gjykojë çështje të ankuara nga shtetasit europianë.
– A ka kërkuar herë të tjera qeveria pezullimin e vendimmarrjes nga  GJEDNJ dhe cili ka qenë vendimi i saj?
Në mars 2014 Kryeministri i Shqipërisë deklaroi në Kuvend se u arrit një sukses i jashtëzakonshëm, sepse u pranua nga Këshilli i Europës që mos merreshin vendime nga GJEDNJ. Por në korrik 2014 GEDNJ e hodhi poshtë kërkesën e qeverisë shqiptare. Prandaj besoj se edhe kërkesa e re do të ketë të njëjtin fat si një çështje e gjykuar.
– Pse qeveria nuk zbatoi vendimin pilot Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë?
Sepse nuk kishte asnjë vullnet për të zgjidhur problemin e pronave, por nisej vetëm nga interesa politike dhe ekonomike të klaneve drejtuese,  që bien ndesh me të drejtën e pronësisë dhe nenin 181 të Kushtetutës dhe qeveria sajoi një zgjidhje alla shqiptarçe.
– Po Presidenti i GJEDNJ a do jetë dakort me qeverinë?
Nuk është e mundur që Presidenti i GJEDNJ të pranojë që  një  shtet, të shkeli të drejtat e njeriut dhe Gjykata që ai drejton të mos i gjykojë ato.
– A mendon qeveria se Presidenti i Gjykatës mund t’i imponohet trupës gjykuese të GJEDNJ?
Qeveria mendon  se ashtu si ju imponohet gjykatave shqiptare dhe i tremb ato me “reformë”, mund të funksionojë edhe me GJEDNJ,  por kjo është e pamundur të ndodhë.
– Nga kush është marrë vendimi pilot kundër Shqipërisë?
Nga Dhoma e Lartë e GJEDNJ dhe është vendim gjykate që nuk mund të ndryshojë. Por qeveria mendon se një vendim pilot mund të anullohet, sepse këtë koncept ka për drejtësinë.
Ku është Reforma në Drejtësi kur i kërkohet të ndalohet vendimmarrja në GJEDNJ, që është ngritur për të dhënë drejtësi. Ky është një grusht që i jepet Reformës në Drejtësi, pasi shuplakën  e parë ja dhe ministrit të Drejtësisë që ushtroi presion për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe meqenëse Gjykata Kushtetuese zbatoi kërkesën e qeverisë mendoi që të njëjtin presion t’ja bëje edhe Strasburgut!!
Vajmedet çfarë konceptesh kanë për drejtësinë dhe çfarë reforme do miratojnë e jo më të zbatojnë.
– Mos kërkojnë të bëjnë Reformë në Drejtësi edhe në Strasburg?
Për të qeshur e për të qarë.
– Pse ky qendrim i qeverisë, ligji i ri si vlerësohet nga ju?
Ligji i ri luan me konceptin kompensim dhe ndërhyn në vendimmarrjet e deritanishme që i rivlerëson sipas dëshirës dhe vullnetit për të ulur në maksimum pagesat. Kjo është plotësisht në kundërshtim me GJEDNJ.
– Po premtimi se do vendosen para të mjaftueshme për këtë qëllim?
Eshtë gënjeshtra e radhës. Trumbetohet me të madhe se janë vënë në dispozicion 24 milionë dollarë. Nuk është e vërtetë, janë paratë e vëna në vitet 2014 dhe 2015 që nuk u shpërndanë. Gjithashtu të dallojmë sa para janë për pronarët dhe sa para janë për pagesën e pronarëve që shpronësohen për efekt legalizimi. Autoritetet po paraqesin në opinion sikur po paguajnë, por asgjë nuk ka për të ndodhur. E gjithë kjo bëhet se pas një viti, do vijnë zgjedhjet dhe ky vit do jetë plot me gënjeshtra e mashtrime, por asgjë nuk do të bëhet. Asnjë vendim për ato 11000 dosjet që flenë nuk do të meret. Do të jetë e vetmja qeveri që gjatë katër vjetëve në qeverisje nuk do të marrë asnjë vendim për pronarët që kanë hapur dosjet dhe presin vendimin.

Ku kanë shkuar pronat e trashëguara të shtetasve që u konfiskuan nga diktatura?

1. U ndanë dhe vazhdojnë të ndahen me ligjin famekeq 7501 i vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare si ligj për interes publik
2. U përvetësuan nga ndërtimet pa leje, fillimisht u pranuan ndërtimet deri në vitin 2006, pastaj deri në vitin 2009 e tashti deri në vitin 2014,  edhe ky ligji i legalizimeve për çudi u vlerësua si interes publik.
3. U përvetësuan me dokumenta të falsifikuara e me makinacione nga më të ndryshmet korruptive nga oligarkia politike, dhe deputetët e papërgjegjshëm.
4. U privatizuan ku deshën e si deshën, por vetëm në interes të pronarëve jo.
5. U përvetësuan nga korrupsioni politik dhe ekonomik.
– Si do të shkojë e drejta e pronës dhe zbatimi i nenit 181 të Kushtetutës ?
Këtë përgjigje e përgjegjësi e ka sistemi i drejtësisë në Shqipëri e në veçanti Gjykata Kushtetuese që shumë rallë ka gjykuar në favor të pronarëve, por në pjesën dërmuese të gjykimeve ka vendosur kundër tyre e në favor të politikës. Të shohim tashti çfarë vendimi do japin për ligjin e ri të pronave, megjithëse fryma u duk që në mosmiratimin e kërkesës për pezullimin e ligjit.
Qeveria nuk do ta prekë statukuone dhe kërkon që me pronat tona të bëjë tregti, duke i shitur me ankande për njerëzit e vet apo për miqtë e shokët.
Në qoftëse kërkohet Reformë në Drejtësi përse duhet kjo reformë që drejtimi i pushtetit gjyqësor apo i Prokurorisë të kalojë sa në një dorë në një tjetër?
Nuk mund të ketë Reformë në Drejtësi në qoftëse nuk ndryshojnë ligjet për pronat në atë pjesë që ato shkelin të drejtat e njeriut dhe paralelisht të veprohet me gjyqtarët e prokurorët e korruptuar. Për këtë duhet që nga drejtuesit e politikës të hiqet dorë nga porositë e Ramiz Alisë që porosiste: të sekuestruarve dhe të shpronësuarve, do t’u japim nga një letër në dorë, t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do tua japim, në forma të ndryshme do t’i ngatërrojm me njëri-tjetrin, të kalojnë në Gjykatë ku do të zbatohet rrotacioni, nga Gjykata e Shkallës së Parë në të dytën e për defekte teknike kthim për rigjykim në Shkallën e Parë. ………Pasuria e tëra na përket ne se ne e bëmë……………..
–  Çfarë vendimesh do marrin gjykatat shqiptare për çështjen e pronave:  sipas ligjeve antipronë që miraton Kuvendi me porosi të qeverisë apo sipas vendimmarrjes së GJEDNJ?
Të shohim, pas miratimit të reformës çfarë do të ndodhë.
Qevria me qendrimin e vet për pronat pronësoi veten me pronat tona dhe i dha vetes të drejtë t’i shesë, t’i falë, të premtojë me një euro, t’i shpronesojë pronarët  në favor të miqve të vet që do investojnë etj., etj. Pra qeveria tha: nuk ka rëndësi çfarë thotë Kushtetuta rëndësi ka çfarë na intereson ne që të sigurojmë pushtet dhe pasuri .
Reforma në Drejtësi rrezikon të dështojë, sepse ligjet në fuqi, por edhe ato që miratohen nuk janë në respekt të të drejtave të njeriut, por kundër tyre.
Misioni i dy ministrave në Strasburg është mashtrim. Reklama që ju bë këtij takimi është pjesë e arrogancës dhe kokëfortësisë së qeverisë për të mos parë realitetin në sy. Pjesë e këtij aktiviteti është dhe Agjensia e Trajtimit të Pronave. Ky institucion që ka ndyshuar disa emra nuk kanë analizuar vendimet e fundit të Strasburgut të dhëna pas miratimit të Ligjit 133/2015, sepse drejtohen nga mentaliteti se ashtu siç manipulojnë gjykatat shqiptare do ta mashtrojnë edhe GJEDNJ. Të gjithë e dijnë se GJEDNJ nuk është dhe nuk mund të bëhet gjykatë shqiptare.

(Agim Toro është Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”)

Exit mobile version