Propaganda e Erion Veliajt për jetë të thjeshtë, Ajola Xoxa me 3 shoqërues në SPAK

Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deri më sot është shfaqur në media si një zonjë dashamirëse e artit dhe e veshur bukur. Aq sa veshjet e saj luksoze, për të cilat një herë tha se “qepte gjyshja,” u shndërruan në legjenda urbane për të dhe bashkëshortin e saj. Ky i fundit, gjithsesi, është përpjekur që gjatë gjithë kohës të mbajë një profil të ulët me veshje të thjeshta dhe biçikletë. Aq sa përpjekja për t’u dukur i thjeshtë, me raste, i shndërrohej në bumerang kur lexoje shpenzimet e bashkisë së drejtuar prej tij për evente pa ndonjë vlerë.

Tashmë që SPAK ka nisur seriozisht hetimet për familjen Veliaj, duket se edhe kujdesi për t’u dukur “njerëz të popullit” ka marrë fund, bashkë me pushtetin e pakufishëm në Tiranë. Mbrëmë, Ajola Xoxa mbërriti në dyert e SPAK për të dhënë shpjegime lidhur me hetimet që prokurorët po zhvillojnë për veprat penale të korrupsionit. Ajo qëndroi gjatë përballë hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku dha deklarimet e saj dhe iu përgjigj një liste të gjatë pyetjesh.

Detajet e rrëfimit të zonjës Xoxa mbeten sekret, pasi hetimet ndaj bashkëshortit të saj dhe familjarëve të tij janë në fazë paraprake.

Por, përtej paraqitjes së zonjës Xoxa në SPAK, ranë në sy dy elementë. Së pari, Ajola Xoxa shoqërohej nga tre bodyguardë, në një kohë që jo vetëm nuk ka asnjë pozicion zyrtar, por nga ana tjetër, i shoqi i saj ka trumbetuar me të madhe se jetesa e tyre është ajo e dy qytetarëve normalë të Tiranës. Ndaj pyetja që lind natyrshëm është: përse Ajola Xoxa lëviz e shoqëruar me bodyguardë? Kujt i frikësohet dhe pse duhet të ruhet kaq me kujdes bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë?

Së dyti, ajo u largua nga ambientet e SPAK me makinë luksoze, ndërkohë që bashkëshorti i saj ka propaganduar se lëviz në Tiranë me biçikletë. Nuk ka asgjë të keqe që Ajola Xoxa të lëvizë me automjet, por Benzi me të cilin ajo mbërriti në SPAK është paksa i papërballueshëm për pasurinë e deklaruar të familjes Veliaj dhe aspak modest për jetën që reklamon kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ndoshta, në një vend si Shqipëria, nuk bën më shumë përshtypje luksi i jetës së politikanëve që ndryshe shfaqen e ndryshe jetojnë. Tashmë lajmet për veshjet e shtrenjta të qeveritarëve kalojnë thuajse pa vëmendje. Deri në momentin kur ata përballen seriozisht me drejtësinë dhe hetimin pasuror. Çka të bën të mendosh se më e keqja nuk shfaqet tek veshjet dhe makinat. Por babëzia të bën të jesh i pakujdesshëm. Dhe kur të rrëshqet këmba, s’ka më roje apo makina luksi që të bëjnë derman./vna.al

Exit mobile version