Propaganda e personalizuar lë institucionet nën hijen e titullarëve

Aktiviteti i institucioneve publike po kanalizohet gjithmonë e më tepër si përmbajtje e parë e profileve personale të titullarëve në rrjetet sociale. Ekspertët e komunikimit e shohin këtë fokus te individi si strategji politike me pasoja në integritetin dhe besueshmërinë te institucionet.

Trysnia publike përballë skandaleve

Një video e rrjedhur në media tronditi qytetin verilindor të Kukësit qershorin e vitit 2023. Ajo shfaqte Kryetarin e Bashkisë, Safet Gjici, duke kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë, së cilës i premtonte fonde për një projekt lokal të trajtimit të qenve të rrugës.

Skandali përfshiu jo vetëm jetën private të Gjicit, por edhe integritetin e institucionit që ai drejtonte.

Nën presion publik, Gjici dha dorëheqjen përmes një postimi në Facebook, ku pranoi marrëdhënien me vajzën, por shmangu të fliste për çështjen e korrupsionit. Komentet e ashpra të qytetarëve e detyruan të mbyllte llogarinë.

Zgjidhja e Gjicit për të gjetur qetësi duke mbyllur Facebookun solli pasoja për Bashkinë Kukës. Për katër vite aktiviteti i bashkisë ishte përcjellë kryesisht përmes profilit personal të kryetarit. Profili zyrtar i bashkisë ishte shpërndarësi kryesor i postimeve të Gjicit.

Kështu, duke mbyllur profilin e tij Gjici zhduku dhe shumicën e arkivës online të aktiviteteve të bashkisë, një pjesë e së cilës nuk qaset më as sot.

Në qershor të vitit 2024, Gjici u dënua me 4 vite e gjysmë burg për korrupsion. Pa rrjedhjen e videos, ai do të vazhdonte të ishte kryetar i bashkisë, ndërsa abuzimi me fondet publike do të mbetej i paekspozuar.

Ky rast nxori në pah strategjinë e komunikimit të përdorur rëndomtë nga pushtetarët e Partisë Socialiste: Promovimi i aktiviteteve institucionale përmes profileve personale, duke lënë institucionet nën hijen e imazhit të drejtuesit.

Me këtë strategji ata përfitojnë rritjen e figurës së tyre dhe ndërtimin e një perceptimi pozitiv te elektorati, por kjo, si në rastin e Gjicit, ka kosto për institucionet, që kalojnë në plan të dytë.

Propaganda e personalizuar

Një nga promotorët kryesorë të kësaj strategjie komunikimi është Kryeministri Edi Rama. Si politikan i sprovuar me pushtetin, – tre mandate Kryetar i Bashkisë Tiranë, tre mandate Kryeministër, – Rama e kanalizon aktivitetin kryesor të qeverisë përmes profilit personal Facebook.

Postimet e tij shpërndahen në efekt domino nga vartësit, elektorati socialist dhe shpesh edhe nga administrata. Përmbajtja karakterizohet nga tipare propagandistike ku mbizotërojnë thirrjet që theksojnë ndasitë “ne” dhe “ata” “e mira”  dhe “e keqja”, përzgjedhja apo shtrembërimi i fakteve, përsëritja e sloganeve politike dhe demonizimi i kundërshtarëve.

Këtë model e ndjekin dhe zbatojnë ministra dhe zyrtarë të tjerë, – veçanërisht Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, Ministrja aktuale e Arsimit Ogerta Manastirliu, apo Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku – duke kanalizuar aktivitetet institucionale në profilet e tyre personale dhe duke e kthyer komunikimin institucional në mjet propagande.

Sipas Prof. Asoc. Dr. Zylyftar Bregu, kjo dinamikë e komunikimit publik bën që “institucioni të marrë fytyrën e drejtuesit, duke e bërë të vështirë ndarjen mes personales dhe institucionales.” Ky fokus dobëson autoritetin institucional te publiku teksa titullarët priren të promovojnë në profilet e tyre vetëm sukseset.

“E shfaqin veten të jashtëzakonshëm në situata të zakonshme dhe të zakonshëm në situata të jashtëzakonshme,” thotë Dr. Ervin Goci, i cili kujton se shpesh në raste krizash titullarët e shmangin komunikimin direkt prej profileve të tyre duke e kanalizuar atë përmes drejtorive, apo zyrave të shtypit.

“Ka komunikime që lidhen me titullarin që nuk mund të hidhen në faqen e institucionit, por përqëndrimi i të gjithë komunikimit tek faqja e titullarit, e shuan institucionin para syve të publikut,” vijon Goci.

Strategjia në fjalë i kthen “de facto” zyrat e shtypit të institucioneve në “zyra PR-i të titullarëve”. Kjo shpjegon dhe pse profilet e tyre kanë më tepër postime.

Shembull i qartë i kësaj praktike është Ministria e Arsimit dhe Sportit, ku faqja zyrtare në Facebook në muajin nëntor 2024 kishte shpërndarë 73 postime nga faqja personale e ministres Manastirliu. Ndjekësit e faqes personale të saj (125 mijë) janë shumë më të numërt krahasuar me ata të faqes së institucionit (77 mijë).

Ngjashëm Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pati 16 postime në muajin nëntor, ndërsa faqja personale e ministres Balluku pati 69 postime. Balluku ka thuajse dyfishin e ndjekësve (58 mijë) krahasuar me faqen e ministrisë (34 mijë).

Ndryshe paraqitet situata me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Veliaj, i cili gëzon (551 mijë) 15 herë më shumë ndjekës se faqja zyrtare e bashkisë (35 mijë) megjithëse në të dyja profilet botohet rregullisht thuajse njësoj.

Kjo qasje strategjike në komunikim dukshëm i ka shndërruar titullarët në figura të njohura, duke dobësuar institucionet përkatëse.

“Kur një politikan i korruptuar takohet me një publik të papërgatitur, me kulturë të dobët demokratike e sidomos me institucione të dobëta, kemi përzierjen perfekte për një jetë publike në kufinjtë e skandalit permanent” thotë eksperti i komunikimit, Goci.

Në këtë rrafsh diskursi që destabilizon strukturat publike, ekspertët sugjerojnë si zgjidhje formalizimin e komunikimit institucional, rritja e transparencës dhe një angazhim të shtuar të aktorëve të shoqërisë civile për ta monitoruar dhe sinjalizuar më mirë si problematikë.

“Nevojitet një model komunikimi institucional duke e formalizuar për të gjitha institucionet,” thotë eksperti i komunikimit Bregu.

“Ka nevojë që institucioni i të gjithëve dhe profili i titullarit të jenë të ndarë qartë,” vijon Goci.

Vendosja e standardeve të qarta për komunikimin zyrtar konsiderohet si mënyrë parandaluese për përzierjen e propagandës personale me axhendën institucionale. Kjo mund të ndihmojë në ruajtjen e balancave të strukturave dhe autoritetit shtetëror.

Gjithashtu respektimi i ligjit për të drejtën e informimit shihet si një aspekt tjetër i rëndësishëm për të luftuar modelin e “titullarëve të fortë dhe institucioneve të dobëta”.

*Ky artikull është realizuar nga Marinela Pashaj, pjesëmarrëse në akademinë “Voices for Change”, organizuar nga Citizens.al.

Exit mobile version