Propozimet për Vlorën dhe Shkodrën, por kryeqytet i vendit u bë Tirana! Ja kush ishin arsyet

Më 11 shkurt të vitit 1920, Tirana u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë dhe në të u vendosen organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 janar 1920).

 

Në fillim të vitit 1920, zyrat qeveritare ishin në Durrës. Meqenëse Durrësi ishte i pushtuar nga italianët, Kongresi i Lushnjës shqyrtoi si mundësi për të shpallur kryeqytet Vlorën, sepse Vlora ishte dhe kryeqyteti i parë i Shqipërisë pas pavarësisë së vendit më 1912. Por, Vlora ishte larg nga veriu. Një tjetër mundësi ishte Shkodra, e cila në atë kohë ishte dhe qyteti më i madh i Shqipërisë. Por, Shkodra ishte pranë Malit të Zi, me të cilin kishte probleme, dhe ishte larg pjesës tjetër të vendit.

Atëherë u vendos se nuk kishte zgjidhje më të mirë se Tirana, për nga pozicioni gjeografik që kishte në qendër të vendit. Përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në Janar 1925. Pas 1920 filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Në 11 shkurt 1920 në Tiranë mbërriti gjithë qeveria shqiptare e drejtuar nga Sulejman Delvina. Ajo u vendos në ndërtesën e parë që ndodhej në fillim të rrugës së Elbasanit. Më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm Këshillin e Lartë dhe Qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912.

Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë. Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës ishin, mosprania e forcave të huaja (pushtuese), pozita gjeografike në qendër të vendit, patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës, ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra. Në këtë rrugëtim të rrezikshëm, rol kryesor pati Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili kishte përkrahësit e tij të armatosur.

Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, ka qenë moszmbrapsja e tij përballë forcave italiane, (që tentuan t’i ndalonin përfaqësuesit e zgjedhur në Lushnje), moment kyç për suksesin e kësaj ndërmarrjeje. Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm. Më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike, Revolucionit të Qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në fillim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939). Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare; kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë./

Artikulli paraprakShfaqen krisjet e para, lojtarët vënë në dyshim skemat e Amorimit
Artikulli tjetërAleatët e SHBA-ve kërkojnë qartësi mbi mbështetjen për Ukrainën në Konferencën e Mynihut