Nga dr. Hasan Bello
Në vjeshtën e vitit 1912 pas përfundimit të luftës italo-turke, qeveritë ballkanike me nxitjen e Rusisë i shpejtuan përgatitjet politiko-ushtarake. Kur koalicioni i aleancës ballkanike ishte në përfundim e sipër, kryeministri i Serbisë, Nikolla Pashiq provokoi një takim me Nexhip Dragën. Ai realizua në Beograd. Në këtë takim, Pashiqi i propozoi deputetit dhe personalitetit të njohur nga Kosova, një bashkëpunim midis shqiptarëve dhe shteteve ballkanike në luftë kundër Perandorisë Osmane.
Por kur Nexhip Draga e pyeti Pashiqin mbi kushtet e bashkëpunimit, ai i dha një përgjigje të çuditshme, e cila pasqyronte boshtin e politikës serbe para dhe pas pavarësisë së shtetit shqiptar. Sipas tij, shtetet ballkanike (më saktë Beogradi) kishin rënë dakord midis tyre për një Shqipëri që do të shtrihej midis lumit Mat dhe Vjosës. Kjo linte jasht pjesën dërrmuese të trojeve shqiptare, duke krijuar një mikroshtet, i cili mund të shembej vetvetiu.
Për këtë arsye, Nexhip Draga i dha një përgjigje tepër të guximshme: “Sa për një Shqipëri të tillë ne shqiptarët preferojmë të luftojmë krah për krah me turqit kundër jush”
Ai niset menjëherë drejt Stambollit për tu takuar me miq e bashkëpunëtorë, politikanë të njohur me të cilët kishte kontakte personale. Në bisedimet me ta, ai vuri re se nuk kishin asnjë informacion për aleancën e shteteve ballkanike. Madje, fjalët e tij nuk i morën aspak në konsideratë. Kjo e zemëroi aq shumë Nexhip Dragën sa që para largimit nga Stambolli i deklaroi “S’kini faj ju, por fati ynë që na ka bashkuar me ju”.
Rezultati i ngjarjeve që u zhvilluan pas pak ditësh tashmë dihet. Masakra, spastrim etnik dhe mijëra të vrarë nga radhët e popullsisë shqiptare…
(Në foto personaliteti i njohur dhe deputeti shqiptar në Parlamentin osman Nexhip bej Draga)