Propozimi i një inspektori osman për të themeluar një Fakultet Drejtësie dhe Arsimi në Kosovë në vitin 1879

Nga dr. Hasan Bello

Për të studiuar situatën politike, ekonomike dhe sociale në periferi shteti osman herë pas here dërgonte inspektorë të ndryshëm. Kjo kishte si qëllim përftimin e informacioneve të pavarura nga administrata lokale, e cila për arsye subjektive mund ta pasqyronte atë sipas këndvështrimit dhe interesave të saj. Në fakt kjo nuk është një praktikë e panjohur edhe për perandoritë europiane, që për të monitoruar situatën krijonin mekanizma kontrolli. Rezultat i këtyre inspektimeve janë një sërë raportesh me interes për historianët dhe studiuesit.

Kështu, sipas një raporti që një inspektor i dërgonte Këshillit të Ministrave në vitin 1879 lidhur me gjendjen e arsimit në disa vilajete të Perandorisë Osmane, i propozonte ndër të tjera që në vilajetin e Bagdatit, Sirisë dhe Kosovës të themelohej nga një Fakultet Drejtësie dhe një Arsimi. Kjo do t`i vinte në ndihmë administratës lokale, e cila kishte nevojë për nënpunës. Por nga ana tjetër, në këto fakultete, do të arsimoheshin edhe juristë të kualifikuar, për të cilët sistemi gjyqësor osman kishte nevojë emergjente.

Një situatë e tillë vinte për shkak se në fund të shek. XIX-të në ato provinca të perandorisë ku kishte popullsi të konfensioneve të ndryshme, ishin krijuar gjykatat e përziera. Kështu nëse trupi gjykues përbëhej nga tre veta, njëri prej tyre duhej patjetër të ishte i krishterë.

Ky propozim nuk u mor në konsideratë nga qeveria osmane. Megjithatë, ai përbën një hap të rëndësishëm në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Aq më tepër që ai është bërë dy vite para se të themelohej Fakulteti i Drejtësisë në Stamboll në vitin 1880.

Artikulli paraprakVotimet në Luginën e Preshevës, Jorida Tabaku ndjek nga afër procesin: Shpresoj për pjesëmarrje të lartë
Artikulli tjetërKonteksti shqiptar i një teksti të Thomas S. Eliot