Propozimi i studiuesit të njohur: Si mund të jetë muze kampi i Spaçit

Nga Kastriot Dervishi

Përfytyrimi që kam për Spaçin, i krijuar në vite nga dokumentet dhe dëshmitë e shumta të atyre që kanë vuajtur këtu, nuk ngjason fare me atë që shihet sot. Territori ka ndryshuar disa herë në vite, aq sa nuk shpreh sa duhet atë që ka qenë. Janë prishur e ndërtuar objekte; janë ndryshuar telat e rrethimit (sipas sipërfaqes), të përgjithshmet e të brendshmet. Pas vitit 1991 ka vijuar shkatërrimi i rrethimeve me tela, barakat ku jetonin të dënuarit politikë në vitet 1983-1991, kullat e rojeve, rrugët drejt galerive të minierës, etj. Prej vitit 2007 kompleksi është shpallur monument kulture i kategorisë së dytë dhe nga viti 2015 si zonë e mbrojtur.

Spaçi nuk ka nevojë për menaxhim, por për rehabilitim të ngadaltë (5 vjet sipas meje) dhe administrim, por pas disa akteve, të cilat do të duan kohën e vet sipas viteve:
1-Shpalljen Muze Kombëtar, me VKM sipas propozimit nr.644, datë 7.9.2018 të Institutit të Studimeve dhe Krimeve të Komunizmit ose me anë të një projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” (propozim i regjistruar në Kuvend në vitin 2022).
2-Kalimin e pronësisë nga Miniera Bakrit Reps te Ministria e Kulturës.
3-Miratimin e një projekti rehabilitimi që të përfshijë: rrethimin e madh me tela me gjemba, rrethimet e vogla; ndërtimin e barakave, plotësimin e pallateve të fjetoreve dhe ato kryesoret afër tyre.
4-Miratimin me VKM të strukturës së muzeut.

Artikulli paraprakZbatimi i masës së sigurisë, Ajola Xoxa paraqitet në SPAK
Artikulli tjetërAeroporti i Tiranës zhyt në krizë qeverinë e Malit të Zi