Prostitucion, dhunë e falsifikime, Zotkaj i dënuar pesë herë

Trafikim prostitucioni, ushtrim dhune, falsifikim të dokumentacioneve, kundërshtim të forcave të rendit e shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Janë  këto pesë akuzat që rëndojnë ndaj kryebashkiakut socialist të Poliçanit, për të cilin tashmë Prokuroria zyrtarisht kërkon heqjen e mandatit. Dje mediat kanë zbardhur dëshminë e penalitetit të  kryetarit të Bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotkaj. ABC News ka publikuar dje dëshminë e penalitetit, ku janë pasqyruar me detaje 5 dënimet penale të formës së prerë. Veç dëshmisë së penaliteti është dhe dokumenti për shkurtimin e vendimit të Gjykatës së Skraparit që mban vitin 1985, ku Zotkaj është dënuar për 4 muaj në riedukim për të kryer punë publike.
Pikërisht këtë vendim, Zotkaj nuk e ka pasqyruar në formularin e parë të “Dekriminalizimit”, duke u bërë shkak që Prokuroria t’i kërkojë KQZ ndërprerjen e mandatit të Zotkajt.
Sipas Prokurorisë, mospasqyrimi i këtij dënimi në formular ka bërë që kreu i Bashkisë së Poliçanit të ketë konsumuar veprën penale të “falsifikimit të formularëve”, akuzë për të cilën tashmë edhe po hetohet nga Prokuroria.
Nga ana tjetër, në kërkesën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkohet ndërprerja e mandatit të kreut të Bashkisë së Poliçanit, organi i akuzës argumenton se formulari i dytë, i korrigjuar nga Adriatik Zotkaj dhe i pranuar nga KQZ-ja nuk ka vlerë ligjore.
Sipas akuzës, vetëm formulari i parë, i dorëzuar më 26 prill 2016 është i vlefshëm dhe brenda afatit ligjor. Çdo formular tjetër apo material, thuhet nga prokurori, i dorëzuar pas datës 26 prill 2016 në KQZ nuk mund t’i nënshtrohet verifikimit, pasi është marrë dhe administruar në kundërshtim të hapur të ligjit dhe është formular i pavlefshëm.
Për këtë fakt, thonë prokurorët, kanë nisur edhe hetimet ndaj zyrtarëve të KQZ-së, pasi kanë pranuar korrigjimin e 29 formularëve të parë, në kundërshtim të ligjit.
Ndërkohë Adriatik Zotkaj, sipas dëshmisë së penalitetit, është dënuar 5 herë me vendime penale.
Në vitin 1985 nga Gjykata e Skraparit për akuzën e “fyerjes dhe goditjes për shkak të detyrës”.
Në vitin 1992 Gjykata e Korçës e ka dënuar me 3 vjet burg për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Në vitin 2001 po Gjykata e Skraparit e ka dënuar me 10 muaj burg për kundërshtim të forcave të rendit.
Në vitin 2002 Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 12 muaj burg për veprime arbitrare dhe falsifikim të dokumenteve.
Një vendim tjetër i Gjykatës së Beratit që mban vitin 2006.
Sipas Prokurorisë, e cila kërkon heqjen e mandatit të tij si kryebashkiak, citohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer verifikimet paraprake në zbatim të Ligjit 138/2015 dhe vendimit 17/2016 të Kuvendit të Republikës pranë Drejtorisë së Burgjeve, konfirmon vendimet e mësipërme dhe vlerëson se subjekti nuk përfshihet brenda fushës së ndalimeve të nenit 2 të Ligjit 138/2015, pasi sipas nenit 4, të Ligjit nr. 138/2015, për këto dënime kanë kaluar afatet e rehabilitimit. Sektori i Verifikimit të Integritetit në Prokurorinë e Përgjithshme i është drejtuar me kërkesa përkatësisht, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vënë në dispozicion Dëshminë e Gjendjes Gjyqësore të subjektit, datë 23.02.2017. Gjykata e Shkallës së Parë Berat ka vënë në dispozicion vendimet penale të formës së prerë, datë 29.07.1985; datë 01.02.2001; dhe datë 29.12.2006. Gjykata e Shkallës së Parë Korçë ka vënë në dispozicion vendimin datë 19.03.1992. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vënë në dispozicion vendimin penal të formës së prerë, nr. 370, datë 21.05.2002 në emër të subjektit deklarues Adriatik Zotkaj. Subjekti, nga përgjigjet dhe verifikimet e kryera, rezulton se nuk ka deklaruar vendimin gjyqësor të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Skrapar nr. 20, datë 29.07.1985, edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të formularit të vetëdeklarimit, njëjtë siç ka deklaruar dhe vendimet e tjera penale dhënë nga Gjykatat e Shkallës së Parë Skrapar, Korçë dhe Tiranë.

Akuza për trafikimin e tetë vajzave në Itali

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për kryetarin e Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj pas dëshmisë së një të pandehuri, i cili e ka përmendur emrin e tij. Procesi kundër Leonard Muçajt ka marrë një kthesë tjetër, pasi i pandehuri nën akuzë për trafik të të miturve i ka kërkuar llogari akuzës se përse hetojnë atë dhe jo Zotkën. “Pse më hetoni mua për një rast?! Hetoni Adriatik Zotkën. Ai ka trafikuar tetë vajza në Itali”, ka thënë ai. Në këto kushte, prokurorët e dosjes kanë përcjellë procesverbalet e seancës gjyqësore tek eprorët, të cilët nga ana e tyre kanë urdhëruar fillimin e hetimeve. Zotkaj i ka fshehur të gjitha dënimet e tij në formularin e dekriminalizimit.

Zoktaj fshehu dënimet në formularin e dekriminalizimit

Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Adriatik Zotkaj i duhet ndërprerë mandati i kryetarit të Bashkisë, pasi rezulton se: Adriatik Zotkaj, referuar Ligjit nr. 138/2015, ka dorëzuar një formular vetëdeklarimi të administruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datë 26.04.2016, të plotësuar në datë 22.04.2016, pra, brenda afatit ligjor të përcaktuar në vendimin nr. 17/2016, të Kuvendit të Shqipërisë.
Më pas, në datë 10.06.2016 subjekti ka dorëzuar një formular vetëdeklarimi të dytë bashkë me një deklaratë të firmosur nga vetë ai dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar ta administrojë, në shkelje të afateve ligjore.
Në datë 04.01.2017, përsëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka administruar një kërkesë të subjektit Adriatik Zotkaj, të cilit i ka bashkëlidhur vërtetimin e gjendjes gjyqësore nr. 1 prot., datë 24.11.2016.
Gjithashtu në datë 14.02.2017, datë në të cilën është përcjellë dhe kërkesa për verifikim të thelluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka protokolluar dhe administruar një vërtetim datë 14.02.2017, të lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat. Këtij vërtetimi i janë bashkëlidhur dy vendime gjykate, me kërkues subjektin Adriatik Zotkaj. Sektori i Verifikimit të Integritetit ka verifikuar vetëm të dhënat e formularit të datës 22.04.2016, të administruar më 26.04.2016 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi sipas Ligjit nr. 138/2015 dhe vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, ky formular është i vetmi formular që është plotësuar, duke respektuar afatet ligjore. Çdo formular tjetër apo materiale të tjera, nuk mund t’i nënshtrohen verifikimit, pasi bien në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në formularin e parë të përcjellë për verifikim, nga ana e sektorit është konstatuar se subjekti ka deklaruar, një vendim penal të formës së prerë të Gjykatës së Rrethit Korçë, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” ku është dënuar me 3 vjet burg, një vendim të Gjykatës së Rrethit Skrapar për “Kundërshtimin e punonjësve të Policisë së Rendit Publik”, dënuar me 10 muaj burg dhe një vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë, për veprën penale të parashikuar nga neni 250 dhe 187 i Kodit Penal, dënuar me 1 vit burgim. Gjithashtu ka deklaruar nën pyetjen 4 të formularit se ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe ndaj tij ka pasur dy masa sigurie “arrest në burg” nga Prokuroria e Rrethit Korçë dhe ajo e Rrethit Skrapar, për veprat penale për të cilat është dënuar më pas me vendime të formës së prerë.

Exit mobile version