Gazetarja e njohur e ekonomisë në Shqipëri, Afërdita Selimi është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë.
Lajmi i trishtë u bë me dije ditën e sotme nga Lidhja e Gazetarëve Ekonomike të Shqipërisë përmes një postimi në Facebook. Homazhet në nder të saj do të mbahen ditën e nesërme në hollin e Radio Tiranës.
Por kush ishte Afërdita Selimi?
Ajo e nisi karrierën e saj në fushën e gazetarisë në vitin 1977, pasi kreu studimet e larta në fakultetin e Shkencave Politike, Dega Gazetari.
Në fillimet e saj ajo kontribuoi në gazetë lokale “Shkëndia” në Lushnjë dhe më pas gjithë puna dhe karriera e saj u përqendruan në RTSH.
Gazetarja Afërdita Selimaj do të mbahet mend për përkushtimin në emisionet sociale-ekonomike, duke kontribuar me pasion edhe në shumë fusha të gazetarisë radiofonike dhe televizive.
Si një ndër themelueset e gazetarisë ekonomike, ajo u bë frymëzim dhe mbështetje për të gjithë gazetarët e kësaj fushe.
Afërdita la pas në arkivin e Radio Tiranës dhe RTSH, me mijëra kronika dhe shumë emisione, mes të cilëve veçojmë: “Cikli Otranto 97”, “Shqiptarët dhe fajdet” e shumë të tjerë.
Në vitin 2000, ajo u emërua Drejtore e Departamentit të Lajmeve në Radio Tirana, pozicioni që e mbajti deri në gusht të vitit 2003.
Pas kësaj ajo drejtoi plot pasion sektorin për bashkatdhetarët në Radio Tirana.
E zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, Afërdita ka qenë Kryetare e parë e Bordit të Monitorimit të Medias, pranë KQZ-së në vitin 2003.
Afërdita Selimaj, ka qenë e vetmja gazetare pranë ekipit negociator shqiptar në Gjenevë, për antarësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Nga viti 1998 e në vazhdim, Afërdita ka drejtuar Lidhjen e Gazetarëve Ekonomike të Shqipërisë, LEGA.
Në vitin 2021 gazetarja nderohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i Madh”, për kontributin e saj mediatik ndër vite.
Gjatë veprimntarisë së saj ajo u nderua edhe me çmimin “Vangjush Gambeta” nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, për raportin më të mirë radiofonik, për problemet ekonomike të vendit.
Në vitin 1999 u zgjodh Ambasadore e Paqes nga Federata Ndërkombëtare për Paqen në Botë.