Banorët e zonës së Laprakës kanë dalë në protestë pasditen e sotme për të kërkuar dëmshpërblim me çmimin e referencës për shtëpitë e tyre që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe.
Mësohet se banorët në shenjë proteste kanë bllokuar rrugën për rreth 1 orë. Si pasojë e bllokimit të rrugës, automjetet kanë formuar radhë të gjata trafiku.
Një prej banorëve të zonës i ka kërkuar autoriteteve që të zhvillojnë bisedime për të arritur një marrëveshje, në të kundërt nuk do të lejojnë që të prishen shtëpitë e tyre.
“Nuk jemi ne personat që e kanë pushtuar këtë zonë, kemi ndërtuar sipas ligjeve të kohës. Kemi shkuar në mini bashki dhe kemi pyetur ku i bie unaza dhe kemi zhvilluar pronën dhe bizneset. Unaza pastaj ndryshoi, nuk i cuam ne, nuk i ndërtuam ne gjurmët e unazës por erdhi mbi banesat tona. Projekti do të zhvillohet të ecë përpara Tirana por jo me këtë çmim, ju jemi drejtuar më shumë se një herë autoriteteve duke filluar nga ARSH, ministrit të infrastruikturës, kryeministrit Rama dhe kadastrës përse i kanë lënë gjërat zvarrë deri në këto momente.
Këtu në këtë zonë bashkia ka caktuar çmimin e referencës dhe duam që cdo banesë me ose pa legalizim të trajtohet e barabartë me gjithë banesat e tjera. Nuk pranon askush nga ne banesë sociale, apo bonos qeraje për dy vite dhe më pas na leni në rrugë. Këtu kemi bërë investimin e një jete dhe njerëzit nuk do të pajtohen. Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të shemben banesat. Eja ulemi gju më gju me ne dhe gjejmë një marrëveshje dhe pastaj le të përfundojë unaza. Ne kërkojmë cmim reference kaq duam”, është shprehur banori.