Sokrat TURTULLI
Ekziston një shprehje në ditët e sotme: ” hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Kjo shprehje pak a shumë përkthehet në atë se, keq t’ia prishësh dikujt, keq mos ia prishësh. Të jesh dakort me dikë dhe njëkohësisht të mos jesh dakort me të. T’a inspirosh dikë për të marrë një vendim dhe më pas, pasi ai vendim është marrë të të duket si i gabuar dhe ta sulmosh duke aluduar në lloj lloj fantazirash dhe mosbesimi për atë që ai ka ndërrmarë i shtyrë nga ai vetë, ata, apo shumë si ata.
-Kjo gjë po ndodh këto ditë me disa çafka portalesh. Nuk reshtin ditë natë duke shkruar dhe ironizuar liderin e PD-së, z Basha se, ai nuk po ndërrmer dhe nuk po ngrihet në nivelin e liderit të opozitës dhe të drejtojë protestat deri në rrëzimin e Ramës. Sipas tyre z Basha është një zëvëndës i Ramës dhe se është ai që po e mban Ramën në këmbë me veprimet dhe mos veprimet e tij. Ata kërkojnë dhe nuk dinë ç’kërkojnë nga Basha, pasi tezat me të cilat ata forcojnë idenë se” para se të shkosh në protestën e 16 shkurtit”, duhen programe të qarta se pse, ku, si dhe për çfarë do protestohet”? Dhe më qesharakja në atë protestë të shkohet me emra ministrash të kabinetit të z Basha të cilët ai duhet ti bëjë publikë që tani që është në opozitë. Këta ministra të opozitës të aludohet sikur janë qeveritarë të tanishëm dhe të shkojnë të shpalosin programin e tyre përballë protestuesve të cilët protestojnë të thirrur po nga opozita. Këta ministra(mundësisht me emra)duhet të deklarojnë në protestë se çfarë do bëhet me ligjin për arsimin e lartë, cfarë do bëhet me bujqësinë, çfarë do bëhet me konçensionet dhe se vetë Kryeministri Basha çfarë do bëjë?
Por para se këta ministra të dalin të na mbushin mëndjen se çfarë do bëjnë, në fillim duhet të na tregojnë se ku do i gjejne lekët për ti bërë?
Si do zgjidhen konçensionet dhe si do arrihet të gjenden lekë për infrastrukturën dhe gjithë problematikat që mundojnë këtë vend.
Këta bëjnë lolon dhe pse e dinë shumë mirë se si gjenden dhe sigurohen këto lekë. Po dhe sikur mos ta dinin, nuk mendoj se nuk e kanë ndjekur z Basha me qindra herë në daljet e tij publike se si do arrihen. Nuk mendoj se nuk e kanë dëgjuar me veshët e tyre se z Basha ka deklaruar për të disatën herë se lekët për tarifat studentore do arrihen nëpërjmet bllokimit dhe eleminimit të tenderave lluksoze të qeveritarëve të tanishëm. Do arrihen nëpërmjet bllokimit të hyrjes se pasurisë së paligjishme tek xhepat e oligarkëve me kollare pushteti.
-Si do zgjidhen konçensionet?- ishte një argumet i ngritur në ajër dhe harrojnë me vetëdije se është thënë dhe stërthënë me dhjetra herë që këto konçensione do anullohen si pjesë e paketës antimafie që do miratohet sapo opozita të vijë në pushtet.
Do vijnë protestues në protestë, por ata duhet të dinë se nga ndryshon ti nga ai tjetri? Ky është kulmi e vetdegjerimit të tyre me vetë pyetjet që ngrenë. Të mos dish ose më saktë të ngresh pyetje me vetëdije të plotë për atë që në këtë vend është e keqja më e madhe, është si të thuash se unë e di kush është e keqja më e madhe, por sërish zgjedh atë të më përfaqësojë, sepse ti nuk më bind në pabindjen time të qëllimshme.
-Pse opozita nuk mbështeti protestën e studentëve dhe të merrte ajo frerin e drejtimit të saj?-ngrihej pyetja tjetër. Pas kësaj pyetja blindohej me argumentin tjetër se, një student duhet të dijë nga ministri i arsimit (ministër në opozitë) se ç’qëndrim ka ai ose ajo për ligjin e arsimit të lartë, nëse do ta rrëzojë këtë ligj aktual, cili do jetë ligji i ri alternativ? Ku do t’i gjejë qeveria e ardhshme paratë për ulje tarifash?
Dhe këto përgjigje ky ministër duhet ti jepte në protestë dhe pse kandidati për kryeministër e ka sqaruar me qindra herë gjë të cilën e kam cituar dhe më lart se: ne sapo të vijmë në pushtet do ta rrëzojmë këtë ligj.
Qytetarët, pra protestuesit që do mblidhen nga e gjithë Shqipëria më datën 16 shkurt, nuk duhet të shkojnë për të protestuar për të keqen më të madhe, por do shkojnë atje për t’u njohur me qeverinë dhe ministrat që do prezantojë z Basha si Kryeministër. Dhe pasi ti prezantojë, mundësisht të organizojë dhe një koktejl gjigand dhe të lagin me shampanjë muret e kryeministrisë në shënjë gëzimi.
Dhe që ta mbyll, ose më saktë në përmbylljet e tyre, akoma kërkohet se si mund të shkohet në proteste, pa u sqaruar marrveshja e 17 majit. Pa u sqaruar kjo marrveshje për veshët e tyre të dyllosur me dëshirë, protesta nuk do ketë sukses. Pasi ata nuk kanë qënë këtu kur vetë Basha në çdo debat dhe dalje publike e ka qartësuar arsyen e asaj marveshje dhe presionin ndërkombëtar dhe të vetë Amerikës për të hyrë në zgjedhje. Po mor, po, pati një marveshje për të mirën e vendit dhe që nuk u mbajt nga mashtruesi i jo vetëm kësaj here dhe që quhet Edvin Rama. Akoma do vazhdoni ti bini qypit dhe të bëheni pjesë e lojës së Ramës duke rënë preh e diversitetit të tij?
Gjithsesi kush e ndjen nuk vjen aty për të protestuar për të ndërruar karriget, por për të ndaluar trenin e eksodit të shqiptarëvë. Vjen aty për të ndalur këtë bandë drogmenësh dhe trafikantësh. Këtë bandë që zaptoi drejtësinë dhe që shumë shpejt do fillojë gjyqet politike. Këtë klikë pushtash që pushtetin dhe karrigen e tyre e kanë pronë të bijëve të bllokut.
– A e keni parë se si qeveris vetëm më një grusht bllokmenësh të rinj? A e keni parë se si i emëron ministra, i shkarkon dhe i emëron drejtora të rëndësishëm dhe ku e gjithë “banka” e tyre personale rrotullohet dhe farefisit të bllokut?
A e keni vënë re sa i frikësuar është dhe nuk i beson askujt më, si dikur enveri? A e keni parë si dalin kriminelët një nga një nga burgjet? A e keni parë që gjyqesorin dhe prokurorinë e ka mbush me kunetër dhe kërrma të shoqërisë civile të drejtuara dhe sponsorizuara nga soros? A e keni parë si e ka mbush SHISH me ish sigurimsa?
A i keni parë çmimet dhe taksat që po kapin qiellin dhe rjepin këtë popull të sakatuar? A e keni parë si e ka kap për gryke median dhe e sponsorizon atë më eurot e drogës?
A e keni parë se në 5 vjet nuk ka bërë një km rrugë dhe pse kilometrin e ka çuar 20 milion euro? Jam i sigurtë që e keni parë, ashtu sikundër jam i sigurt se edhe ju e keni gëlltitur një lugë çorbë diku që villni papushim dhe i dilni në krah ligësisë.
Ja, për këtë duhet të bënit thirrje që të ngriheshin të gjithë dhe për ta rrëzuar këtë të keqe dhe jo për të kërkuar ballo me ministra opozitarësh në hije në bulevardin e varfërisë.
Me ju ose pa ju kjo protestë do jetë madhështore. Me ju ose pa ju e mira do triumfojë përballë së keqes dhe pse shumë vonë, pasi ka akoma si ju qe lehin atje ku hanë dhe pse ai ushqim është vjedhur nga kafshata e popullit të skeletosur.
SPRINT.AL