Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi deklaroi nga Mati në një takim me forumin e gruas se protesta e 18 shkurtit nuk do të ndalet derisa pushteti t’ju kalojë qytetarëve. “Shqipëria asnjëherë nuk ka qenë në këtë gjendje! Ajo sot qeveriset nga trafikantë, kriminelë dhe njerëzit më të korruptuar në Europë. Mashtrimet elektorale për punësimin dhe shëndetësinë, e kanë shndërruar Shqipërinë në vendin më të varfër dhe me numrin më të madh të azilkërkuesve. Në 4 vite të mandatit qeverisës, Edi Rama ka vjedhur respektivisht të gjitha buxhetet e shërbimeve jetike duke e shitur shtetin tek miqtë, të cilët paguajnë për ta mbajtur atë në pushtet. Gratë dhe vajzat janë viktimat më të mëdha të kësaj qeverisje. Mijëra profesioniste, mjeke dhe mësuese janë hequr padrejësisht nga puna për bindje politike. Në spitalin e Burrelit u hoqën me listë 35 punonjëse. Ndërsa Drejtoria Arsimore pushoi dhe transferoi dhjetëra mësuese të përkushtuara. Më 18 shkurt ngrihemi të gjitha bashkë në një lëvizje pa kthim për t’i hequr pushtetin Edi Ramës dhe t’ia kthejmë atë qytetarëve. Protesta nis në Tiranë dhe do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë si një lëvizje qytetare mbarëkombëtare! Nuk ka kthim pas deri në kalimin e pushtetit tek qytetarët!”, është shprehur Vokshi në takimin e saj. Në takimin e deputetes Vokshi me strukturat e Lidhjes Demokratike të Gruas Dega Mat morën pjesë kryetari i Bashkisë, Nezir Rizvani dhe deputetët e Partisë Demokratike të zonës: Bedri Hoxha, Dhurata Çupi dhe Roland Keta, të cilët theksuan gjendjen e rëndë ekonomike, papunësinë e lartë dhe mungesën e qëllimshme të investimeve, si një politikë diskriminuese që zbaton qeveria për Bashkitë e fituara nga Partia Demokratike.