Teksa nuk na ndan shumë nga protesta e Berishës, që pritet të mbahet sot para Kryesisë së Kuvendit, policia ka nisur zbatimin e planit të masave. Forcat policore kanë ‘zbarkuar’ para Kryesisë, ndërsa janë bërë gardh në hyrje të këtij institucioni, për t’iu paraprirë çdo përshkallëzimi të mundshëm.
Kujtojmë se protesta është parashikuar që të nisë në orën 11:30, ndërkohë që në 12:00 do të nisë seanca e Këshillit të Mandateve, ku do të vendoset mbi fatin e imunitetit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Nga ana tjetër Berisha nuk ka marrë ende një vendim nëse nesër do jetë përballë socialistëve dhe prokurorëve të SPAK-ut, apo do të përfaqësohet me avokatët e tij në këtë mbledhje.
Sakaq, në daljet e tij për mediat, Berisha ka ftuar qytetarët dhe demokratët në protestë, ndërsa ka theksuar se ky tubim është thirrur nga opozita. Ai ka pohuar se protesta nuk ka lidhje me vendimin që pritet të merret për fatin e imunitetit të tij. Pavarësisht vendimmarrjes së këshillit, ish-kryeministri është shprehur se do ta njohë vendimin e Parlamentit, cilido qoftë ai. Mbetet për t’u parë nëse ky vendim do merret vetëm me votat e socialistëve.