Protesta e fermerëve në Maliq/ Basha: Qeveria e korruptuar që vjedh fondet e BE për fermerët, i gjobit ata edhe kur protestojnë për mungesën e mbështetjes

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me protestën e fermerëve në Maliq. Me anë të një postimi në facebook, Basha shkruan se një qeveri që vjedh fondet e BE për fermerët dhe i gjobit ata sepse protestojnë për krizën në të cilën ndodhen, është e padenjë për të qëndruar në krye të punëve të vendit.

Sipas tij, fermerët ka vite që janë braktisur, pa subvencione, pa akses në treg, pa kurrfarë ndihme, sepse prioriteti i vetëm i qeverisë Rama është korrupsioni.

Duke qëndruar krah fermerëve, Basha gjithashtu thotë se synimi kryesor i Demokratëve Euroatlantikë për bujqësinë është mbështetja çdo vit me 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta, si dhe 50 milionë euro zhvillim infrastrukture për fermat dhe zhvillimin rural. Kësaj do t’i shtohet edhe angazhimi për të zhbllokuar fondet që BE-ja ka pezulluar për shkak të korrupsionit të qeverisë aktuale.

Reagimi i plotë i Bashës:

Një qeveri që vjedh fondet e BE-së për fermerët dhe i gjobitë ata sepse protestojnë me të drejtë për krizën në të cilën ndodhet sektori i bujqësisë, është e padenjë për të qëndruar në krye të punëve të vendit.

Për vite me radhë fermerët janë braktisur, pa subvencione, pa akses në treg, pa kurrfarë ndihme, sepse prioriteti i vetëm i qeverisë Rama është korrupsioni.

Djersa, mundi dhe sakrificat e fermerëve nuk meritojnë arrogancën dhe arbitraritetin e një pushteti të kalbur dhe të korruptuar në çdo segment të tij.

Ne mbështesim kërkesat e tyre të drejta dhe e mirëkuptojmë revoltën e tyre të përligjur, ndaj i bëjmë thirrje autoriteteve të mos bëhen vegla të matrapazëve në pushtet.

Fermerët shqiptarë japin një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, paçka se nuk marrin mbështetjen që gëzojnë fermerët e rajonit.

Angazhimet tona konkrete për të luftuar korrupsionin dhe siguruar mirëqeverisjen, do zhbllokojnë fondet që BE-ja ka pezulluar për shkak të korrupsionit të qeverisë aktuale, duke u’a kthyer ato fermerëve.

Synim ynë kryesor për bujqësinë është mbështetja çdo vit me 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta, si dhe 50 milionë euro zhvillim infrastrukture për fermat dhe zhvillimin rural.

Me këtë paketë serioze, të hartuar nga ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj, përfitojnë rreth 150 mijë familje fermere, duke i nxjerrë ato nga kriza në të cilën i ka futur qeveria më e korruptuar në Europë.

Shqipëria meriton më shumë!

Artikulli paraprakE hënë e zezë për bregdetin shqiptar/ Dy të moshuar pësojnë atak në zemër në Durrës dhe Velipojë
Artikulli tjetër“Maskarenj, do ma paguani shtrenjtë…”/ Dëshmia e ish-të dënuarit politik: Breshëritë e armëve të rojeve shkaktuan alarm dhe dëgjova zërin e operativit që vraponte duke…