Protesta e parë antikomuniste, çfarë ndodhi më 14 janar të vitit 1990 në Shkodër! Qytetarët u përpoqën të hidhnin bustin e Stalinit, por…

Data e 14 janarit të vitit 1990 në Shkodër shënon demonstratën e parë antikomuniste në Shqipëri dhe që u desh një vit për të rrëzuar regjimin komunist, i fundit regjim diktatorial në Evropën Lindore.

 

Mijëra qytetarë të Shkodrës u mblodhën në qendër të qytetit dhe protestuan në heshtje. Qëllimi i tyre ishte rrëzimi i bustit të Stalinit. Kjo përpjekje ishte sinjal i veprimeve të tjera antikomuniste. Po kjo ngjarje, për vetë rëndësinë dhe kohën në të cilën u zhvillua, me të drejtë u konsiderua si demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Pati jehonë brenda e jashtë Shqipërisë, u analizua dhe komentua nga mediat ndërkombëtare, sepse u hapi rrugën më pas edhe zhvillimeve të tjera demokratike në mbarë Shqipërinë, e frytet e saj demokratike nuk u vonuan. Ngjarja u komentua dhe u përcoll edhe në mediat e huaja si “BBC”, “World Service”, “RAI”, “VOA” – “Zëri i Amerikës”. Ky tubim kishte ditë që planifikohej. Iniciatorët kishin njoftuar shumë qytetarë në mënyrë që t’i bashkëngjiteshin protestës dhe përmasat e saj të ishin më të mëdha. Lëvizjet e organizatorëve nuk i kishin shpëtuar Sigurimit të Shtetit i cili ishte në dijeni të një tubimi të tillë, duke i konsideruar ata “elementë armiq të frymëzuar nga ngjarjet në vendet e Evropës Lindore”.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” kujton se, qëndresa e parë antikomuniste u shoqërua me arrestime të disa personave të përfshirë në të. Dhjetë prej tyre, të cilët u dënuan me disa vite burg me akuzën e agjitacion e propagandë, diversion apo moskallëzim krimi, ishin: Aldo Perrizi, Dedë Kasneci, Flamur Begu, Gjergj Livadhi, Klaudio Daka, Kolec Hublina, Nikolin Margjini, Nikolin Thana, Rin Monajka, Tonin Dema. Atë ditë pati qindra qytetarë të arrestuar, një pjesë e madhe pësoi tortura, dhjetë ndër kryesorët; Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka, Aldo Perizi u dënuan me shumë vite burg, gjashtë të tjerë; Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni, Viktor Martini u shtruan në psikiatri dhe shumë familje u internuan. Një prej të burgosurve, i ndjeri Rin Monajka, me ardhjen e demokracisë, doli nga burgu në gjendje invaliditeti ekstrem. Mbrëmjen e 13 janarit, disa prej tyre u arrestuan, por plani i thurur në fshehtësi u vu në jetë të nesërmen pavarësisht se busti i Stalinit, në qendër të qytetit nuk u rrëzua.

Torturat shtazarake e kishin bërë efektin makaber! Pas torturave, të arrestuarit u akuzuan për vepra të renda penale dhe i priste dënimi me pushkatim, por kush i shpëtoi të rinjtë shkodranë? Disa prej tyre sot nuk jetojnë me si pasojë e torturave dhe keqtrajtimit, por protagonistet e tjerë të asaj ngjarje, janë shumë të zhgënjyer për Shqipërinë e këtyre 30 vjetëve. Pas afro 46 vitesh nën një tirani të paparë në histori, shqiptarët të nxitur nga ngjarjet në Evropën Lindore, por edhe nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhej vendi nga politikat e gabuara të qeverisë filluan të kundërshtonin regjimin komunist të Ramiz Alisë. Gjendja politike ishte e vështirë për Partinë e Punës. Regjimet komuniste në të gjitha vendet e Europës Lindore kishin rënë. I fundit kishte qenë regjimi rumun që kishte mbaruar në mënyrë të përgjakshme. Komunistët shqiptarë nuk po reflektonin. Shqipëria ishte i fundit vend me një regjim komunist në Europë.

RRUGA DREJT DEMOKRACISË

Pas ngjarjes në Shkodër, me datën 6 shkurt 1990 në Tiranë gardistë të fshehur brenda kamionëve ushtarake pas Ministrisë së Mbrojtjes si edhe policia e fshehtë civile filluan të lëvizin nga paraditja e deri në orët e vona të natës në të gjithë zonën para sheshit “Skënderbej”. Ato kishin marrë informacione të sigurta se në kryeqytet do të bëhej një protestë e heshtur masive, e cila ishte organizuar më parë nga antikomunistët më të njohur të kohës. Nga të gjitha anët e qytetit vinin drejt qendrës grupe njerëzish pa e ditur se ishin marrë të gjitha masat për shtypjen e saj. Po atë natë e deri ditët e tjera në vazhdim u vunë re lëvizje të shumta automjetesh të tipit xhip “Aro”, të cilat kishin ardhur ca kohë më parë nga Rumania dhe ishin vënë në dispozicion të policisë. Ato ditë janë arrestuar ose marrë për pyetje një numër i madh të rinjsh, shumica e të cilëve më 2 korrik u detyruan të braktisnin vendlindjen, duke ju drejtuar ambasadave Perëndimore për t’i shpëtuar hakmarrjes së dhunshme komuniste.

Më 26 mars 1990 zhvillohet një demonstratë masive antikomuniste në Kavajë. Forca të shumta policore e shtypën me egërsi këtë demonstratë. Masivisht fyhet diktatori Hoxha. Më 2 korrik 1990: Antikomunistët informohen dhe marrin shembull nga ngjarjet në vendet e Evropës Lindore. Ata përhapin menjëherë idenë e largimit përmes ambasadave. Me mijëra të rinj shpërthejnë për t’u futur në ambasadat perëndimore, për të fituar më në fund lirinë dhe me shpresën e përfitimit të të drejtës së strehimit politik. Ambasadat në të cilën u futën më shumë persona është ajo gjermane me rreth 3100 qytetarë e pasuar nga ajo italiane. Ambasadat e vetme, të cilat nuk u prekën nga dyndja masive ishin ajo e kineze dhe ajo kubane. Radio Televizioni Shqiptar transmeton vetëm pamjet ku disa persona të pasigurtë kërkojnë të dalin, por gjoja nuk i lejojnë autoritetet e ambasadave. Më pas në të gjithë vendin fillojnë të zhvillohen demonstrata antikomuniste.

Në korrik-nëntor 1990 demonstrata antikomuniste zhvillohen në gjithë vendin e veçanërisht në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Kërkesa kryesore e demonstruesve është hapja e Shqipërisë dhe rrëzimi i regjimit diktatorial komunist. Fillon emigrimi masiv drejt Italisë me anë të anijeve. Mbi 20.000 shqiptarë largohen me mjete ujore. Policia kufitare vret shumë të rinj shqiptarë që po arratiseshin drejt një jete më të mirë. Nis emigrimi masiv i shqiptarëve 1990-1991. Më 8 dhjetor 1990, studentët e Universitetit të Tiranës ngrihen në protestë. Më 11 dhjetor 1990, studentët takohen me Presidentin e vendit, Ramiz Alinë. Ata i bëjnë të ditur atij kërkesat e tyre… Më 12 dhjetor 1990: Studentët bashkë me intelektualë shqiptarë formojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë, e para parti opozitare pas afro 50 vitesh. Udhëheqësit kryesorë janë Sali Berisha, Azem Hajdari, Genc Pollo, Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko etj. Partia e re bazohet mbi idealet e “Demokracisë, Lirisë, Pluralizmit dhe Tregut të Lirë”.

REVOLUCIONI ANTIKOMUNIST

Me datën 2 prill 1991: Pas një demonstrate paqësore vriten në Shkodër 4 aktivistë të PDSH dhe plagosen mbi 80 demonstrues. Kjo nxiti një valë të re protestash. Demonstruesit e egërsuar djegin Komitetin e Partisë së Shkodrës. Gjatë muajit prill 1991: Zhvillohen greva dhe demonstrata të fuqishme. Qeveria komuniste merr goditjen më të rëndë pikërisht nga punëtorët, të cilët hyjnë masivisht në greva. 4 qershor 1991: Jep dorëheqjen kryeministri Fatos Nano për shkak të protestave masive. Formohet qeveria e re e koalicionit e drejtuar nga Ylli Bufi. 10 qershor 1991: Në një Kongres historik PPSH (Partia e Punës e Shqipërisë) ndryshon emrin në PSSH (Partia Socialiste e Shqipërisë). Ndryshon edhe udhëheqja e Partisë. qershor-nëntor 1991: Zhvillohen demonstrata antikomuniste. Thirrjet e demonstruesve janë “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”, “Liri-Demokraci!”, “Enver-Hitler!”, “Poshtë komunizmi”! etj.

Në çdo qytet rrëzohen bustet e Enver Hoxhës, Leninit dhe Stalinit, simbole të diktaturës së egër komuniste. Kërkohet ndryshimi i emrave të institucioneve të ndryshme që kanë emrin e Enver Hoxhës, Leninit, Stalinit ose datën e krijimit të PKSH. Ushtria demonstron forcën duke lëvizur tanket nëpër qytetet e vendit. Vazhdon emigrimi masiv. Mijëra të rinj kërkojnë një jetë më të mirë drejt vendeve perëndimore. 6 dhjetor 1991: Jep dorëheqjen qeveria e koalicionit për shkak të largimit nga qeveria e ministrave të PD. Në janar 1992 formohet qeveria teknike e Vilson Ahmetit që do të përgatisë vendin për zgjedhjet e parakohshme. 22 mars 1992: Mbahen zgjedhjet e parakohshme. Me një rezultat të thellë fiton PDSH. Rotacioni i rezultatit është 90 %. Në krye vjen një qeveri e djathtë, e para qeveri e djathtë që nga koha e Zogut. Parlamenti i ri zgjedh President të Republikës z. Sali Berisha, i treti President i vendit (më përpara kanë qenë Ahmet Zogu dhe Ramiz Alia) dhe i pari i zgjedhur në mënyrë demokratike. Protestat antikomuniste marrin fund. Revolucioni Antikomunist triumfon./

Artikulli paraprakLufta në Ukrainë, Kaja Kallas: Evropa duhet të rrisë presionin ndaj Moskës! Rezervat e tyre monetare janë shteruar
Artikulli tjetër“Në shtëpinë time ka rënë bomba”- Djemtë e tij vranë Ramazan Matajn për nderin e së motrës, Rustem Hasaj ngujohet së bashku me familjen nga frika hakmarrjes: Jemi në kushte mbijetese