Punonjësit e rafinerisë së përpunimit të naftës, ARMO janë përfshirë dje në protestë të dhunshme me punonjësit e Përmbarimit që po ruajnë ambientet e kompanisë, pasi kanë nëntë muaj pa marrë rrogat. Sipas burimeve nga terreni punonjësit duket se janë acaruar pas marrjes në mbrojtje të objekteve të ARMO-s nga përmbarimorët për llogari të Albpetrolit.
Pak ditë më parë, kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës, Albpetrol, ka marrë në ruajtje rafinerinë e ARMO-s, në Ballsh. Lëvizja ka ardhur, pasi pak ditë më parë Albpetrol fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro. Në proces gjyqësor janë dhe 20 milionë euro të tjera.
Punonjësit e rafinerisë kanë nisur një protestë agresive, duke pushtuar sallën e komandës në nënstacionin e TEC-it Ballsh. Grevistët kërkojnë prezencën e medias dhe nga momenti në moment mund të ndërpritet energjia elektrike dhe uji i pijshëm për Mallakastrën dhe gjithë Jugun.
Por burimet zyrtare të Albpetrol sqaruan se greva e punonjësve po shkon përkundër qëllimeve të tyre. Ata sqaruan se, Përmbarimi do të nxjerrë në ankand për asetet e Ballshit dhe ligji detyron që të ardhurat që sigurohen do të shkojnë për shlyerjen e rrogave të punonjësve, tepricat për detyrimet tatimore dhe pjesa që mbetet e arkëton Albpetrol. Burimet zyrtare në Albpetrol shpjegojnë se, kjo është mënyra e vetme që ish-punonjësit e Ballshit të marrin rrogat.
Kompania Përmbarimore TDR Group ka rrethuar ARMO-n dhe ka nisur të bëjë vlerësimin e aseteve të saj. Pas vlerësimit ARMO do të dalë në ankand dhe në rast se nuk arrin të shitet pas procedurave të përcaktuara me ligj në të dy ankandet, atëherë do t’i kalojë në pronësi Albpetrol. Neni 605 i Kodit të Procedurës Civile përcakton që detyrimet ndaj punonjësve dhe ato ndaj shtetit kanë përparësi ndaj detyrimeve ndaj bankave.
Pak javë më parë, kompania Përmbarimore EPSA nxorri në shitje një tjetër uzinë të përpunimit të naftës të rafinerisë së ARMO, (truall dhe ndërtesa në fshatin Drizë) për llogari të Bankës Raiffeisen, për një kredi të pashlyer prej 2.8 miliardë lekësh (rreth 20 milionë euro). Si ankandi i parë, ashtu dhe i dyti, ku vlera e shitjes u përgjysmua në 10 milionë euro, dështuan dhe uzina i ka kaluar në pronësi Bankës Raiffeisen.
Përveç Raiffeisen Bank edhe Tirana Bank është vënë në radhë për të mbledhur borxhet nga kreditori më i madh më i keq në Shqipëri.
Kompania e rafinerisë së naftës, 15% të aksioneve të së cilës zotërohen nga shteti dhe 85% nga azerët e Heany Assets Corporation, është kreditori më i madh i keq i vetëm në Shqipëri.
Prej kohësh ARMO ndërkohë është në një situatë tejet të vështirë. Rafineria e Ballshit është mbyllur dhe vlerësohet se ajo nuk është eficiente, ndryshe nga ajo e Fierit që ka ende leverdi.
Sipas bilancit të vitit 2013 (bilanci i 2014-ës nuk është dorëzuar ende në QKR), pjesa më e madhe e borxhit të ARMO është ndaj bankës FBME dhe palëve të treta, në total rreth 140 milionë euro. Ndaj bankave në Shqipëri, ARMO ka kredi prej rreth 37 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave ndaj Raiffeisen dhe Credins, përkatësisht rreth 20 dhe 15.6 milionë euro, gjithnjë sipas të dhënave të bilancit 2013.
Gati një vit më parë, një korrespondencë ndërmjet dikastereve të qeverisë zbardhte planin se si do të falimentohet dhe pas do të shtetëzohet ARMO, e cila kishte në total 207 milionë USD kredi për të shlyer në bankat dhe 53 milionë USD në tatime.
Muajt e fundit një kompani zvicerane dhe më pas një amerikane shfaqën interes për ARMO, duke parë me leverdi përpunimin e bitumit, por mali me borxhe i ARMO-s ka stepur investitorët, ndërsa azerët e Heany Assets Corporation, që kanë 85% të aksioneve pothuajse e kanë braktisur ARMO.
Në gusht të 2013, Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85 për qind të aksioneve të ARMO sh.a. Në datën e blerjes Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë, të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO gjatë vitit 2014 përfitoi të ardhura, si qiradhënëse e dy rafinerive, si pronare e tyre.