Qindra studentë kanë nisur protestën përpara ambienteve të Korpusit “Nënë Tereza” në Tiranë, për shkak se, sipas tyre, gjendja e arsimit të lartë në Shqipëri vijon të mbetet një shqetësim serioz për të gjithë ata.
Në një komunikim me gazetaren e Fax News, një prej studentëve të Fakultetit Juridik, u shpreh se, në sallat e tyre nuk ka as karrige ku ata të ulen, ndërkohë që ulja e tarifave sipas tij është thjesht një mashtrim.
Studenti u shpreh se, ndaj tyre ka pasur një presion shumë të madh, për të mos rinisur protestat, duke i kërcënuar si zakonisht me vendosjen e mungesave edhe në orët e leksioneve.
“Nuk kemi karrige ku të mund të ulemi, pjesëmarrja është e konsiderueshme, duke marrë parasysh presionin që ka pasur ndaj nesh në këto ditët e fundit. Nuk kemi asnjë informacion se kur do ta paguajmë tarifën e shkollës, ndërkohë që shumë studentë janë djegur për shkak të kushteve absurd që ka vendosur qeveria”, u shpreh studenti.
Një tjetër student e kaloi situatën me batutë duke thënë se nga protestat e vitit 2018 u arrit vetëm një gjë “heqja e një ministreje bjonde, dhe vendosja e një bruneje”.
“Duhet që të kesh dy prindër invalidë që të marrësh bursë, vijimi i protestës është në dorën e studentëve, ne jemi të revoltuar pasi nuk është plotësuar asnjë nga pikat e paktit të universitetit, dhe për këtë shkak ne jemi sot këtu”, tregon një tjetër student.