Nga Fatmir GUDA
Tanimë mund të thuhet se greva e studentëve pothuajse nuk po ndihet më në formën dhe përmasat me të cilat filloi. Jehona e saj sidomos gjatë muajit dhjetor, ku pati dhe kulmin e vet padiskutim ishte ndodhia më europianiste, që shqiptarët kanë prodhuar me vetëdije të lartë qytetare në 28 vite tranzicion.
Ata, të rrinjtë e auditoreve studentore në të gjithë vëndin, farkëtuan mes tyre krejt natyrshëm një kallje date për pushtetin, i cili nga një arrogancë sunduese me frymë autoritarizmi, krejt papritur u mblodh sa një grusht, e personifikuar më së miri në fytyrën dyll të verdhë dhe zërin pothuajse të fikur të kryeministrit, i gatshëm të pranonte gjithçka për të shpëtuar karrigen e vet.
Goditjet e kësaj proteste ndaj qeverisë gjetën një dakortësi mbarë kombëtare duke u shndëruar rreze shprese për qytetarët dhe një bombë vrastare për pushtetin e Edi Ramës. Ndaj dhe ky i fundit vuri në përdorim të gjitha metodat dhe mekanizmat e pushtetit për të mos lejuar shpërthimin e bombës, së cilës për fatin e saj tashmë ju arrit t’i hiqej siguresa.
Pra, sot që po flasim kjo bombë pa siguresë, pavarsisht statusit nëse ka arritur akoma të bjerrë apo jo në dorë të Edi Ramës, përbën padyshim një rrezik potencial për pushtetin e kryeministrit, në derë të cilit, sapo është duke ardhur ndërkohë një tjetër sulm frontal, demonstrim force i paralajmëruar nga opozita.
Më 16 shkurt është njoftuar nga lideri i opozitës mbajtja e një proteste kombëtare në bulevardin para kryeministrisë dhe nuk do përbënte aspak çudi, që po në këtë moment të gjejë terren për shpërthim zëmërata e akumuluar edhe e protestës studentore, e cila megjithse të krijon përshtypjen se po bie në dorë të kryeministrit, tashmë i ngjan detonatorit pa siguresë.
Kjo pasi dihet shumë mirë që me përjashtim të meremetimit të disa fasadave të fjetinave studentore, asnjë nga 8 pikat e kërkesave të tyre nuk po merret më në shqyrtim për zgjidhje. Madje qeveria ka deklaruar zyrtarisht shyrjen në kohë të fillimit të diskutimit të tyre.
Pjesa më rezistente e protestës studentore është bërë pothuaj e vetëdijshme se arritja e qëllimeve të tyre nuk ka më luksin të arrihet pa një front gjithëpërfshirës dhe duke mbajtur larg faktorët me peshë dhe përfaqsim të gjerë social, qofshin këta edhe politikë.
Natyrisht bashkimit të këtyre risqeve më 16 shkurt po u friket qeveria, e cila po ndjek me shumë interes edhe një rritje të entuziazmit opozitar gjatë masivitetit të takimeve që po zhvillon në qytete të ndryshme të vëndit kreu i opozitës në dakortësi totale ndaj protestës për rrëzimin e Edi Ramës.
Se ç’pasoja do ketë shpërthimi i tyre, padyshim që këtë do ta përcaktojë data 16 Shkurt, pasi ky moment do shënojë dhe kontaktin e parë që pushteti do ketë me forcën e opozitës në rrugë, e cila në vartësi të drejtimit që do të marrë përplasja është investuar më solemnisht se kurrë më parë në çmotimin e atij që ajo e quan rregjim kriminal dhe kleptokratik të Edi Ramës.