Një pjesë e naftëtarëve të Ballshit kanë shkuar paraditen e së mërkurës sërish tek uzina. Ata qëndruan në distancë pasi hyrja për në uzinë është blinduar nga forca të shumta sigurie.
Siç u shprehën para mediave, naftëtarët kërkojnë që ish-përfaqësuesi i sindikatës Kamber Iljazi dhe përfaqësuesi ligjor që ka marrë përsipër procesin gjyqësor për pagat e prapambetura të paraqiten para tyre dhe të japin shpjegime.
Një prej përfaqësuesve të naftëtarëve tha se mbi 300 persona kanë paguar nga 5000 lekë ndërsa deklaroi se do të drejtohen drejt komisariatit për të bërë akuzë penale ndaj personave që e kanë lënë procesin pas dore.
Një prej tyre madje bëri thirrje për të marshuar drejt Tiranës në këmbë.
“Ne kemi pohuar që kemi nga 2015 që punonjësit e uzinës kanë fituar gjyq. E ka hapur kryetari i sindikatës, Kamber Iljazi së bashku me Taf Kolecin. Sipas informacioneve që kemi deri tani na është thënë që gjyqin e kanë fituar 500 të parët. Janë edhe 497 persona në proces gjyqësor. Kamber Iljazi të paraqitet e të na thotë si kanë shkuar gjërat. Ne kemi paguar një 50 mijë lekëshe. Nuk e dimë pse heziton”, shprehet një prej naftëtarëve.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme në komisariatin e Mallakastrës janë shoqëruar 9 naftëtarë të Ballshit për t’u marrë në pyetje për incidentet gjatë protestës të së hënës.
Ata u poceduan këtë mëngjes pasi akuzohen se kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e rafinerisë dhe kanë dëmtuar derën kryesore. Naftëtarët po ndiqen në gjendje të lirë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Prej dy javësh naftëtarët kanë protestuar disa herë pasi pretendojnë se në uzinë kanë hyrë mjete dhe persona të cilët duan të dëmtojnë rafinerinë. Po nga ana e saj Ministria e Infrastrukturës i ka përgënjeshtruar duke thënë se nuk është ofruar asnjë blerës.