Protesta në Berat: “Më mirë të vdesim këtu se të ngelemi pa punë”!

Punëtorët e guroreve në malin e Tomorrit në Berat kanë dalë në protesta përpara prefekturës së këtij qyteti duke kundërshtuar mbylljen e vendeve të punës për ta. Ministria e Mjedisit dhe e Turizmit dhe ministri Blendi Klosi ka lajmëruar prej kohësh pezullimin e aktivitetit të rreth 20 kompanive që merren me nxjerrjen dhe përpunimin e gurit dekorativ.
Por ndërkohë banorë të tjerë rreth zonës po ngrenë alarmin për ndotjen dhe për mënyrën si po shfrytëzohet mali i Tomorrit.
Bëhet me dije se rreth 1000 punonjës kanë mbetur pa punë si rrjedhojë e pezullimit nga ministri Klosi të guroreve në mal. Ata kanë dalë në protestë përpara prefekturës së Beratit duke kërkuar takim me kryeministrin Rama.
Sipas disave prej punëtorëve, në malin e Tomorrit, vijon punën një kompani fantazëm, ndërsa të tjerat janë pezulluar duke i nxjerrë në rrugë.
“Kam katër fëmijë, gruaja pa punë, nuk kam ku shkoj, kam dalë në rrugë të madhe”, ka thënë një prej punëtorëve.
“Është vetëm një kompani që vijon aktivitetin aty. Është një firmë fantazëm që vepron këtu ndërsa ne jemi pa punë. Më mirë të vdesim këtu sesa të mbetemi pa punë”, është shprehur një tjetër punonjës.

Exit mobile version