Protesta paqësore në të gjithë Shqipërinë, rrugët që u bllokuan

Dhjetëra mijëra qytetarë i janë bashkuar thirrjes së lëvizjes popullore për të bllokuar për një orë akset kryesore rrugore në të gjithë vendin. Qytetarët kanë mbajtur në duart e tyre flamuj dhe megjithëse janë provokuar në shumë raste nga forca të policisë ata kanë reaguar vetëm me thirrjet “Rama ik!”. Lëvizja ka marrë dje një tjetër dimension të një lëvizjeje të mirëfilltë popullore, duke dëshmuar vendosmërinë për të mos u tërhequr për asnjë moment nga beteja për zgjedhje të lira përmes krijimit të një qeverie teknike.
Opozita bllokoi dje për 60 minuta pesë akse rrugore kombëtare, nga ora 11.00 deri në mesditë, si pjesë e protestës së saj, e cila vazhdon prej më shumë se dy muajsh për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie teknike, e cila sipas saj do të duhet të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Mbështetës të opozitës iu bashkuan asaj në bllokimin e dy akseve kryesore rrugore në jug të vendit, në zonën e Fierit dhe në Veri, në zonën e Milotit, si dhe tri hyrjeve kryesore në kryeqytet. Në njërën prej tyre, me protestuesit u bashkua edhe kryetari demokrat, Lulzim Basha.
Policia shqiptare nuk kishte dhënë leje për bllokimin e rrugëve, duke paralajmëruar ndëshkimin e organizatorëve dhe pjesëmarrësve. Megjithatë ajo nuk ndërhyri, duke ndjekur në distancë protestuesit. Gjithçka u zhvillua paqësisht dhe pa asnjë incident.
Kreu i PD Basha i cilësoi protestat e djeshme si një paralajmërim se qëndresa e lëvizjes popullore qytetare është e pathyeshme deri në realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Jemi të bashkuar në këtë lëvizje kombëtare dhe europiane, të bashkuar në vendosmërinë tonë për të mos ia dorëzuar Shqipërinë, krimit dhe drogës, për të mos ia dorëzuar lirinë tonë, tiranisë së korrupsionit dhe të krimit në pushtet, por të përbashkuar, siç jemi bashkuar, qindra mijëra shqiptarë, miliona shqiptarë nga jugu në veri nga lindja në perëndim; për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një qeveri teknike, e cila do të largojë kriminelët nga institucionet, sipas ligjit të dekriminalizimit, që do të luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë votimin biometrik dhe numërimin elektronik të votës së çdo shqiptari e çdo shqiptareje dhe menjëherë pas kësaj, votimin dhe zbatimin e vetingut dhe reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe marrëveshjes politike të 22 korrikut. Zoti i bekoftë shqiptarët për këtë sakrificë dhe këtë qëndresë. Ky është një paralajmërim se vendosmëria e kësaj lëvizje popullore, e këtij bashkimi qytetar është e pathyeshme për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ju ftoj ta përmbyllim këtë protestë duke u larguar me qetësi dhe paqe, pa asnjë provokim, dhe pa iu përgjigjur asnjë provokimi. Më parë, ju ftoj të gjithëve ta mbyllim këtë protestë, me himnin tonë kombëtar”, u shpreh kreu i PD, Basha.

1. Protesta kryhet paqësisht në Tiranë
Qindra mbështetësit demokratë që kishin bllokuar rrethrrotullimin tek Shkolla Teknologjike protestuan paqësisht. Protestuesit opozitarë qëndruan në mes të rrugës, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë dhunshëm, siç kishte paralajmëruar. Përkundrazi, forcat Shqiponja vëzhguan në distancë.

2. Basha- këmbëkryq me protestuesit në rrethrrotullimin e Doganës
Lulzim Basha, kreu i opozitës kishte vendosur të ulet këmbëkryq me protestuesit, duke bllokuar tek rrethrrotullimi i Doganës. Basha ishte shprehur se protesta do të ishte paqësore, por nga ana tjetër policia ishte shprehur se protesta e opozitës dhe bllokimi i trafikut është një akt i paligjshëm dhe se do të kishte arrestime për personat përgjegjës të bllokimit të akseve rrugore.

3. Simpatizantët e opozitës nga veriu bllokojnë rrugën në qytetin e Milotit
Në të njëjtën kohë me bllokimin e trafikut në Tiranë ka filluar edhe bllokimi i rrugëve në disa qytete të Shqipërisë. Në qytetin e Milotit, qindra simpatizantë kishin dalë në rrugë duke bllokuar kalimin e automjeteve.

4. Juglindja bllokon Bradasheshin
Protestuesit e zonave të Juglindjes së vendit janë mbledhur dhe kanë bllokuar rrugën në Bradashesh.
Pankartat që mbanin në duar thoshin “Qeveria ra” dhe “Rama ik!”.
Nënkryetari i Kuvendit, Edmond Spaho, njëkohësisht deputet i PD tha për median se, “kjo zonë e ka në ADN protestat paqësore”.

5. Protestuesit bllokojnë rrethrrotullimin në Plug të Lushnjës me thirrjet “Rama ik”
Qindra protestues të thirrur nga opozita janë tubuar në këtë rrethrrotullim nga i gjithë Jugu i vendit, para orës 11. Deri në fillim të protestës çdo gjë ka shkuar paqësisht.

6. Rama bllokon ekranet pak minuta para protestës së opozitës
Pak minuta para protestës së bllokimit të rrugëve nga opozita, disa nga televizionet më të rëndësishme informative në vend vendosën të trasmetojnë një takim rutinë të Ramës. “Ora News”, “Report TV” dhe “ABC News” zgjodhën të transmetonin një takim rutinë të Ramës ku ky i fundit merrte pjesë në një ceremoni për rikonstruksionin e Parkut Arkeologjik të Apollonisë. Këtë “rregull” e theu vetëm televizioni informativ “News24”, i cili transmetoi pamje nga disa prej pikave më të nxehta të trafikut, të cilat u bllokuan si përshkallëzim i protestës së opozitës.

Berisha: Revolucioni drejt fitores

Ish-kryeministri Berisha ka përshëndetur dje protestën qytetare e paqësore të organizuar nga opozita, kur për një orë qytetarët bllokuan akset kryesore rrugore duke protestuar për garantimin e votës së lirë dhe krijimin e një qeverie teknike që do të sigurojë zgjedhje të lira. Përmes një statusi në Facebook, Berisha e ka cilësuar protestën e djeshme si nisjen e rrugës së fitores së kauzës për zgjedhje të lira. “Sukses i shkëlqyer! Revolucioni demokratik paralizon plotësisht për 1 orë për votën e lirë Narkorepubliken e Norieges në Ballkan! Revolucioni drejt fitores!” shprehet Berisha në reagimin e tij.

Fermeri solidarohet për lëvizjen popullore, bllokon rrugën me bagëtitë e tij

Bllokoi rrugën me bagëti për të mbështetur protestën e PD, shoqërohet në polici fermeri nga Shkodra.
Ndonëse ai zgjodhi një mënyrë tejet të veçantë për t’ju bashkuar dje protestës së opozitës, fermeri Lush Ndoci nga Shkodra është shoqëruar në polici.
Kjo pasi, Ndoci paraditen e djeshme bllokoi me bagëtitë e tij rrugën Shkodër-Tiranë, në shenjë solidarizimi me protestuesit e tjerë në mbarë vendin.
“BalkanWeb” mëson se Ndoci u shoqërua nga blutë për t’u marrë në pyetje për veprimin e tij. Fermeri bllokoi për disa minuta këtë aks, duke shkaktuar radhë në automjete.
Protesta e djeshme u mbajt në 5 pika kyçe të vendit, ku për një orë u bllokua trafiku. Prej disa kohësh opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e qeverisë teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Qeveria në panik, policia me deklarata qesharake

Qeveria  dhe njerëzit rreth saj janë zgjuar nën frikë të llahtarshme. Njoftimet se Policia e Shtetit kishte marrë ndihmë në teknikë dhe trajnim nga jashtë, dëshmon se qeveria nuk ia del vetë të mbrojë veten.
Edhe institucione që tashmë kanë vdekur për shkak të mbarimit të mandatit, janë zgjuar. Avokati i Popullit, edhe se pa mandat, ka urdhëruar që të monitorohet opozita kudo, në çdo pikë ku po bllokohen rrugët. Avokati i Popullit monitoron, domethënë, vëzhgon sjelljen e opozitarit dhe jo të qeverisë. Dhuna e qeverisë mbi qytetarin do të ishte e falshme sipas kësaj logjike, por asnjë sjellje e keqe e individit ndaj qeverisë.
Opozita, 65 ditë që nga dita e parë e protestës për zgjedhje të lira, shpalli se dje do të bllokonte disa nga rrugët hyrëse për në Tiranë, nga ora 11.00 deri 12.00. Gjithë shteti, edhe me pjesën e madhe të mediave, edhe me fyerje e shpifje në internet, ishte angazhuar kundër opozitës që ndodhet në protestë.
Qeveria nuk mundi ta fshehë frikën. Frika ishte se protestuesit mund të merrnin rrugën drejt vilave të ndërtuara nga qeveritarët përmes korrupsionit dhe vjedhjeve; frika ishte se protestuesit mund të zbulonin zyrat e qeverisë duke u treguar të gjithëve luksin që ndodhet brenda tyre; frika se dje protesta e opozitës mund të shërbente për të bindur edhe politikanët e mazhorancës se qeveria “nuk ia vlen” më.
Fakti që qeveria ka kaq shumë frikë nga protesta, dëshmon se nuk ia vlen të mbahet më këmbë.

Exit mobile version