Protesta para Bashkisë për Parkun e fëmijëve

Protesta kundër ndërtimit të kompleksit të pallateve tek parku i fëmijëve tek ish-Parku i Autobusëve është zhvendosur para Bashkisë së Tiranës. Qindra banorë me pankarta në duar, rreth orës 18:00 të ditës së djeshme nisën marshimin nga ish-Parku i Autobusëve në rrugën e “Kavajës” dhe u grumbulluan para Bashkisë së Tiranës.
Protestuesit të grumbulluar para Bashkisë thërrasin: “Duam pemë, duam parqe, jo beton për pallate” dhe “Parku është i yni, jo i pushtetarëve”. Ata i kujtuan Veliajt premtimin, që ai kishte bërë gjatë fushatës se do të hynte në histori si njeriu që nuk do të ndërtojë pallate në lulishte. “Mbaj premtimin, na e kthe parkun”, shkruhej në një nga pankartat që protestuesit mbanin në duar para Bashkisë.
Protestuesit kërkuan takim me kryebashkiakun Erion Veliaj për t’i kërkuar pezullimin e lejes së ndërtimit të pallateve në lulishten pranë ish-Parkut të Autobusëve pranë Policisë Bashkiake. Bëhet e ditur se, Veliaj nuk ka pranuar të presë në takim përfaqësuesit e protestës. Banorët u shpërndanë duke paralajmëruar se do të mblidhen sërish para Bashkisë derisa Veliaj të anulojë lejen e ndërtimit për pallatin në parkun e fëmijëve
Edhe më parë, banorët e zonës së ish-Parkut të Autobusëve kanë dalë në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e pallateve në këtë zonë. Në protestat e mëparshme ata janë përplasur edhe me policinë, e cila ka arrestuar disa prej tyre.
Katër ditë pas përfundimit të votimeve, Veliaj nisi ndërtimin e një kompleksi pallatesh në parkun e fëmijëve tek ish-Parku i Autobusëve. I vetmi park i madh për fëmijët e qytetarët në Tiranë, ai pranë Rrugës së “Kavajës” që u ndërtua gjatë kohës që Bashkia e Tiranës drejtohej nga Lulzim Basha, po zhduket për t’u shndërruar në një kompleks të ngjeshur pallatesh. Një leje ndërtimi e firmosur nga kryebashkiaku Erion Veliaj i ka hapur rrugën rrethimit të gjithë parkut me qëllim nisjen e hedhjes së themeleve për ndërtimin e kompleksit të pallateve.

Censura, asnjë televizion nuk transmetoi protestën

Mediat censuruan sërish dje protestën e banorëve para Bashkisë së Tiranës kundër ndërtimit të kompleksit të pallateve në një lulishte tek ish-Parku i Autobusëve. Me urdhër të Veliajt, asnjë televizion nuk e transmetoi protestën e banorëve. Megjithatë, pamjet filmike u transmetuan nëpërmjet disa videove të shpërndara në rrjetet sociale. Protestuesit kanë reaguar edhe për censurën e mediave.
Edhe në tre protestat e tjera që janë zhvilluar tek lulishtja ku ndodhen makineritë e firmës së ndërtimit, mediat nuk i transmetuan. Në protestat tek lulishtja, policia ushtroi dhunë ndaj protestuesve dhe shoqëroi disa prej tyre në komisariat. Në videot e publikuara në rrjetet sociale shihej se si policia e Veliaj tërheq zvarrë protestuesit.

Paditet kompania e ndërtimit, “Arlis”

Shtetasi Erion Isufi ka paditur në Gjykatë kompaninë “Arlis” që drejtohet nga Armand Lilo, pas akuzave që ky i fundit bëri pak ditë më parë. Lilo akuzoi Isufin, kunat i ish-kryebashkiakut Lulzim Basha, se i kishte kërkuar një pjesë të truallit te lulishtja pranë e Policisë Bashkiake në Tiranë, në këmbim të dhënies së lejes për të ndërtuar një kompleks pallatesh shumëkatëshe.
Kjo akuzë u hodh poshtë menjëherë nga Erion Isufi, i cili tashmë kërkon dëmshpërblim nga Lilo në shumën e 1.000.000 lekëve dhe përgënjeshtrim të lajmit në portalet e publikuara.
Pas përplasjeve pranë lulishtes, të qytetarëve me personelin e kompanisë “Arlis”, në portale u publikuan dokumentat që vërtetojnë se leja për ndërtimin e pallateve është dhënë nga kryebashkiaku aktual i Tiranës, Erion Veliaj.

R.POLISI

Exit mobile version