NGA GENTIAN GABA
Protesta për Thumanë-Kashar është e drejtë, por
Prej muajsh banorët e Krujës, Fushë-Krujës dhe zonave përreth po protestojnë prej izolimit që kanë pësuar nga segmenti Thumanë-Kashar.
80 mijë banorë janë ndëshkuar prej mungesës së aksesit, pasi në planin fillestar ishin parashikuar 4 nyje shkëmbimi, ndërkohë që në përfundim të punimeve mungojnë nyjet lidhëse në Fushë-Krujë dhe Thumanë.
Për pasojë të këtij izolimi bizneset po mbyllen, çmimet po rriten dhe kostot për familjet po bëhen të papërballueshme.
Protesta e drejtë e banorëve po has në injorimin e zakontë të qeverisë arrogante të Edi Ramës.
Strategjia për menaxhimin e protestës nga ana e pushtetit ngjason me manualin e zakontë. Nëpërmjet injorimit të kërkesave të protestuesve, kërkohet së pari që aksionet e qytetarëve të rutinizohen, duke lodhur qëndresën e tyre dhe zbehur vëmendjen e opinionit publik.
Së dyti, përmes mosveprimit të saj, që është edhe shkaku i bllokimit të rrugës nga banorët, qeveria hilacake kërkon të krijojë perceptimin e bezdisjes ndaj protestës te qytetarët që aksesojnë rrugën dhe bllokohen gjatë zhvillimit të saj.
Në qasjen klasike të autokratëve, përça dhe sundo, qeveria kërkon që fajin e saj ndaj Krujës dhe Fushë-Krujës ta fshijë përmes nxitjes së emocioneve negative mes banorëve që protestojnë për një të drejtë kushtetuese dhe qytetarëve të tjerë.
Një manual që është zbatuar me përpikmëri në protestat e ndryshme përgjatë këtyre viteve, natyrisht i ndihmuar edhe nga mediat, që janë përherë gati në shërbimet e tyre ndaj qeverisë dhe në censurimin e problemeve.
Por ngadhënjimi i qeverisë, herë me hile, herë me forcë e herë përmes korruptimit, nuk e ka origjinën te dobësia e protestave, as te forca e klientelës së saj, që në këtë rast është e bashkëndarë me një pjesë të opozitës, të dyja të afërta me kompaninë koncesionare.
Problemi i vërtetë është se qytetarëve u është hequr çdo mjet institucional dhe demokratik, si referendumet lokale, e mbi të gjitha sepse problemet e qytetarëve janë të shkëputura nga ato të përfaqësuesve të tyre në parlament, të cilët nuk bëhen përçues të zërit të votuesve, por të interesave të kryetarëve të tyre.
Një protestë si kjo e banorëve të Thumanë-Kashar ka parë përkrahjen e vazhdueshme të deputeteve opozitare si Merita Bakiu dhe Andia Ulliri, ndërkohë që asnjë përfaqësues i PS-së, që në këtë qark ka marrë gati 77 mijë vota, nuk është shprehur për padrejtësinë që po pësojnë mbi 80 mijë banorë.
A të jenë të kënaqur vallë votuesit e PS-së për izolimin që po pësojnë? Për bizneset që po mbyllen? Për çmimet që po rriten për familjet e zonës?
Afërmendsh jo, por përfaqësuesit e PS-së në nivel vendor dhe qendor nuk duken gjëkundi, sepse ata nuk zgjidhen më nga qytetarët por nga nënshkruesit e listave që dorëzohen në KQZ, krerët e partive.
Dhe këtu vijmë te thelbi, ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, që i dhanë jetë sistemit ku fituesi merr gjithçka, me një kryeministër të pathyeshëm dhe të gjithëpushtetshëm; një parlament që nuk përfaqëson asgjë, me deputetë të pafuqishëm dhe noterizues të vullnetit të kryeministrit; një President honorifik, zgjedhja e të cilit kërkon më pak vota se ajo për Avokatin e Popullit.
Një republikë kryeministrore, pa ndarje pushtetesh, që ka dobësuar demokracinë dhe përfaqësimin politik, me pasoja të rënda për zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore.
Për shumë gjatë, marrëveshja mes Berishës dhe Ramës e prillit të 2008-ës, e cila prodhoi një sistem politik të deformuar, është shënjestruar si momenti në të cilin mori fund vrapi i gomarit i demokracisë të brishtë shqiptare.
Ndonëse mund të komentojmë bollshëm mbi arsyet që i çuan palët drejt atyre ndryshimeve (konsensusi i gjerë sugjeron se Berisha u shty nga kriza e prodhuar nga tragjedia e Gërdecit, ndërsa Rama u shty nga kriza e lidershipit të tij të dobët mbi PS-në), pa dashur t’i epitetojmë vendimet politike të së shkuarës me sytë e të tashmes, 16 vite janë mëse të mjaftueshme për të pranuar se rezultati i asaj marrëveshje u provua si jo pozitiv për proceset demokratike të Shqipërisë.
Por, siç do thoshte Rama duke cituar gjyshen e tij, që në fakt është një aforizëm që i atribuohet Shën Augustinit, të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore.
Siç ishte djallëzore këmbëngulja në gabim 16 vite më pas, me riciklimin e marrëveshje Rama-Berisha, përmes të cilës kryeministri dhe ish-kryeministri ekzekutuan Komisionin për Reformën Zgjedhore, duke mbajtur të paprekur sistemin e dëmshëm që kanë prodhuar interesat e tyre.
Përmes teatrit të flakadanëve dhe karrigeve të përmbysura të muajve të shkuar, ku Berisha kërkonte komisionet hetimore, ndërsa Rama i refuzonte ato me pretekstin tashmë të gënjeshtërt se nuk komunikon me non gratat (ka tre aleatë të ngushtë nga kampi i tij, Doshin, Dakon dhe Rakipin).
Një krizë artificiale që kishte për qëllim faktorizimin në parlament të Berishës, që sapo kishte humbur në mënyrën më dramatike zgjedhjet vendore, sepse votat e tij i duheshin Ramës për të mbajtur listat e mbyllura e për të mos adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Nëpërmjet shamatës fallco, Rama dhe Berisha bllokuan jetën politike të vendit, për të mbajtur njëri-tjetrin në lojë, duke arritur të mos fusin në axhendën parlamentare propozimet e PD të përfaqësuar nga Basha, të cilat reflektonin realisht kërkesën e shoqërisë për ndryshim, nga listat e hapura, te barazia e votës etj, që sillnin në sinoret e normalitetit parlamentarizmin dhe përfaqësimin politik.
Ujdia mes tyre u damkos gjerësisht në opinionin publik si një Pazar mes Ramës dhe Berishës, madje edhe nga komentatorë të afërt me ta, që nuk mund të fshihnin përmes artit të propagandës shëmtinë e marrëveshjes që nxori në sipërfaqe interesat konvergjente të kryeministrit dhe ish-kryeministrit.
E nëse nga maja e pushtetit Rama ka fuqinë ta metabolizojë helmin e pazarit të dalë në sipërfaqe, nga pozitat e Berishës është më e vështirë të mbrohet mbajtja e status quo-së, pasi nëse Rama çon policinë për të ndalur protestuesit të autostrada Thumanë-Kashar, Berisha shfaqet hipokritë me retorikën e tij.
Pasi jo vetëm lidhet me një fill të hollë me kompaninë koncesionare, por përmes bashkimit me Ramën u hoqi qytetarëve mundësinë për ndryshimin politik, që është i domosdoshëm për t’i dhënë zë kauzës së tyre të drejtë.
Pra, aty ku Rama me të drejtë shihet si orkestruesi i një regjimi oligarkik, Berisha, përmes marrëveshjes me të, nuk e shet dot veten si opozitar, aq më pak si kreu i opozitës i përndjekur nga regjimi me të cilin ka bashkuar 2 herë votat në më pak se gjashtë muaj, por si ortaku i sistemit që ai ka ndërtuar dhe mirëmbajtur me atë që cilëson si kreun e meduzës, e ndërsa vetë ka përfunduar si një nga gjarpërinjtë në kokën e krijesës mitologjike.