Protesta, populli do të arrestojë “peshkun e madh”

Protesta e nëserme do të jetë e popullit. Atë që nuk e bën drejtësia e kapur nga Rama do ta bëjë populli. Do të jenë shqiptarët e bashkuar që do të arrestojnë “peshkun e madh” të krimit dhe korrupsionit që ka shndërruar Shqipërinë në një protektorat të mafies. Askush nuk mund të laujë më me fatet e shqiptarëve dhe askush nuk do të guxojë të prekë liritë e fituara të tyre 27 vite më parë. Mafia ka guxuar të ngrejë një sistem kundër lirive të shqiptarëve dhe3 për këtë do të marrë përgjigjen e merituar.

Ish-të përndjekurit: Protestat tona jo pacifiste

Në emër të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë të Shqipërisë nga regjimi komunist, shprehim indinjatën e kësaj shtrese shoqërore, ndaj një deklarate të papërgjegjshme të ministrit të Financave të qeverisë aktuale, të kryesuar nga z. Edi Rama. Pak ditë më parë, ministri Ahmetaj është shprehur publikisht se do t’i propozojë Kuvendit që t’u hiqet trashëgimtarëve të ish-të dënuarve politikë e drejta e dëmshpërblimit, e garantuar nga Kushtetuta dhe Ligji aktual, Nr. 9831, datë 12.11.2007. Pra, ky zotni, nuk kërkon as më shumë dhe as më pak, veçse abrogimin e ligjit në fuqi dhe shkeljen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me justifikimin absurd se, sipas tij, këtë të drejtë nuk e gëzojnë as fëmijët e veteranëve të luftës.
Një analogji e tillë nga ky ministër i indoktrinuar me idetë komuniste, në mos qoftë një lapsus juridik, është shprehje e urrejtjes klasore të trashëguar nga paraardhësit e tij. Po është njëkohësisht edhe shprehje e tendencës së qeverisë së tij, për minimizimin e demokracisë dhe e lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, gjë që është konstatuar e kritikuar kohët e fundit edhe nga organizmat prestigjioze ndërkombëtare. Ka disa tregues se në Shqipëri është rivendosur stalinizmi i maskuar keq dhe vazhdon “lufta e klasave” me forma të reja, kryesisht në fushën ekonomike, ndaj ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, si edhe ndaj ish-pronarëve, duke e zvarritur dhe penguar qëllimisht rehabilitimin, integrimin dhe kthimin e pronave të grabitura nga regjimi komunist, tek pronarët e vërtetë.
Krahasimi i disa “veteranëve të krimeve komuniste” me të pushkatuarit, të burgosurit, të internuarit dhe të persekutuarit politikë nga diktatura komuniste, është sa i padrejtë aq edhe fyes për shtresën tonë. Sepse: Me veteranët e ndershëm janë përzjerë e kamufluar edhe shumë persona të inkriminuar, ish-persekutorë të njohur, ish-oficerë të Sigurimit dhe hetues famëkëqinj që kanë kryer tortura çnjerëzore mbi njerëz të pafajshëm; ish-prokurorë e gjyqtarë që kanë dhënë vendime të padrejta me vdekje ose me burgim të rëndë; ish-oficerë të kufirit që kanë urdhëruar vrasje në kufi të qindra djemve dhe vajzave; ish-pjesëtarë të skuadrave të pushkatimit dhe ish-funksionarë partiakë, që kanë shkaktuar dëme të mëdha njerëzore.
Persona të tillë do të duhej të ishin vënë përpara drejtësisë dhe të merrnin dënimin e merituar. Në të kundërt, ata kanë marrë dekorime, shpërblime dhe pensione të majme, të pamerituara. Ndërkohë, ish-të dënuarit dhe trashëgimtarët e tyre, që vuajtën dhe u trajtuan si “armiq të popullit”, që sakrifikuan gjithçka për liri e demokracei, për drejtësi shoqërore dhe për një Shqipëri europiane si kjo që duam të ndërtojmë sot, pra këta njerëz ende sot ndihen të diskriminuar dhe nuk plotësojnë dot as nevojat minimale jetike. Ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga regjimi komunist, me Ligjin Nr. 7514, të votuar unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë më 30 shtator 1991, u është njohur e drejta e pafajësisë, rehabilitimit dhe e dëmshpërblimit.
Por, ai nuk gjeti zbatimin e duhur. Më 29.07.1993, me Ligjin Nr. 7748 “Mbi statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve…”, nisi njëfarë shpërblimi duke dhënë “letra me vlerë” në vend të parave. Por ato shpejt përfunduan pa asnjë vlerë, për shkak të manovrimeve keqdashëse të shtetarëve kriptokomunistë. Mbas disa protestave, të cilat arritën deri në përgjakje, u dekretua Ligji aktual Nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga regjimi komunist”. Ky ligj ka përcaktuar kriteret dhe personat që e përfitojnë dëmshpërblimin në lekë, të ndarë në tetë këste e që duhej të shlyhej brenda tetë vjetëve. Por, që nga hyrja në fuqi e tij dhe deri më sot, kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet dhe ende nuk ka përfunduar as kësti i dytë.
Ndërsa që prej vitit 1991, kur u miratua njëzëri nga Parlamenti Ligji për Pafajësinë dhe Rehabilitimin, kanë kaluar më tepër se 27 vjet dhe ende vazhdon loja e dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë. Kuptohet qartë se sado e madhe që të ishte fatura financiare, ky “dëmshpërblim” do të kishte marrë fund, po të mos kishte munguar vullneti politik i shtetarëve postkomunistë. Veç kësaj, duhet të kujtojmë se në vendin tonë janë në përdorim dy standarde të “Drejtësisë socialiste”: njëri favorizues për ish-persekutorët dhe tjetri diskriminues për të persekutuarit. Kësisoj, ata që u akuzuan për krime komuniste dhe që u dënuan për shpërdorim detyre me shpenzime të tepërta të kafesë e të pijeve freskuese (!!), morën pafajësinë e pamerituar dhe një dëmshpërblim të menjëhershëm në të holla, më të madh sesa ky që përcakton ligji aktual për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist.
Është paradoksale, por e vërtetë, se në Shqipëri, ku diktatura komuniste është ushtruar me të gjithë egërsinë e saj, nuk figuron asnjë i dënuar për krime komuniste.
Por, neokomunistët e sotëm, që kanë uzurpuar këtë shtet pseudodemokratik, nuk do të munden t’i shumëzojnë me zero vuajtjet tona dhe të famijëve tanë, vitet e rinisë të humbura ndër burgje dhe kampe të punës së detyruar e të papaguar si dhe ndër vendinternimet e vjekjes dhe as gjakun e derdhur në luftën kundër komunizmit, për demokracinë e vërtetë. Me epërsinë e tyre numerike të votave në Parlament, të fituar në zgjedhjet e padrejta e të pandershme, me shitblerje votash, epërsi që nuk është gjë tjetër veçse një dukuri bolshevike, pushtetarët e kuq nuk do të munden të asgjësojnë normat demokratike, ligjet ndërkombëtare dhe konventat europiane për liritë dhe të drejtat e njeriut. Nëse kjo qeveri nuk i tërheq pa vonesë deklarimet absurde dhe nuk ndryshon rrënjësisht qëndrimet armiqësore ndaj shtresës sonë, ne do t’i bëjmë thirrje të gjithë ish-të dënuarve politikë dhe familjarëve të tyre, si edhe të gjithë shqiptarëve që nuk e kanë dashur dhe nuk e duan komunizmin, që t’i bashkohen opozitës, sidoqoftë ajo dhe të marrin pjesë aktivisht në protestat që do të zhvillohen në të ardhmen. Veçse, siç është provuar, pjesëmarrja e kësaj shtrese ndër protesta, nuk mund të jetë me parullat pacifiste “nuk do këpusim asnjë lule dhe nuk do thyejmë asnjë xham”, po ashtu siç i bën e gjithë Europa dhe bota.
Tanush Kaso
Gjoç Gjoçi

Artikulli paraprakMinistrja e Ramës largon nga Shqipëria të arrestuarin e vetëm të dosjes Tahiri
Artikulli tjetërFaqja e pare