Pesë institucione publike u bashkuan në një dalje publike për të bindur banorët e Unazës së Re në Tiranë se shkatërrimi i pronave dhe banesave të tyre është diçka pozitive. Prej disa ditësh, qindra qytetarë që kanë shtëpitë dhe bizneset e tyre në aksin rrugor nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi “Shqiponja” kanë kundërshtuar planin që dëmton interesat e tyre, nëpërmjet protestave që arritën kulmin mesditën e së Dielës, me bllokimin e aksit rrugor ku kalon projekti.
Një ditë pas protestës masive, drejtues të Autoriteti Rrugor Shqiptar, Hipotekës, ALUIZNI-t dhe Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik dolën para medias për të shpjeguar qëllimin e projektit dhe angazhimin e tyre për përmirësimin e jetës së banorëve, përfshirë edhe atyre që do t’i lënë pa shtëpi.
Në këtë dalje publike, i vetmi autoritet që mungonte ishte Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Bashkia kishte vendosur të përfaqësohej nga nënkryetari i saj, Arbjan Mazniku, duke shmangur në këtë mënyrë përballjen e drejtëpërdrejtë të Veliajt me shqetësimin jetik të mijëra banorëve të zonës së Unazës së Re, strehimit dhe të drejtës për biznes.
“Lali Eri”, i cili në çdo kronikë mediatike të parafabrikuar shfaqet si njeriu i punës dhe që mendon për qytetarët e Tiranës, ka vendosur që kësaj radhe të mos përballet me problemin madhor. Pak muaj para zgjedhjeve lokale dhe në situatë ku nuk e di ende nëse do të kandidohet nga Edi Rama për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po synon që të shmangë sa më shumë përplasjet sociale.
Projekti i Unazës së Madhe, ku përfshihet edhe aksi Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja, është një prej premtimeve më të mëdha të “Lali Erit”, megjithëse ai e gjeti të gatshëm atë nga paraardhësit e tij. Erion Veliaj, si kryebashkiak, kishte për detyrë vetëm që të gjente zgjidhjet më të mira për banorët që do të shpronësoheshin në gjurmën ku është parashikuar të kalojë ky projekt gjigand.
Por, siç ka rezultuar deri më tani, Veliaj ka dështuar në dy raste të mëparshme për të gjetur mirëkuptimin dhe zgjidhjen për banorët e Tiranës. Fillimisht, përplasje pati me banorët e Shkozës. Por numri i të prekurve nga kalimi i Unazës së Madhe në atë zonë ishte i vogël dhe bashkia e Lali Erit e menaxhoi me lehtësi. Më pas, konflikti vijoi në zonën e Selitën, ku përballë fuqisë së bashkisë ishin disa familje rome, të cilat gjithashtu u thyen lehtësisht.
Në këto dy raste të mëparshme, Lali Eri u doli vetë në ballë punëve, ndryshe nga rasti i tretë, ky i protestës së fundit në Unazën e Re. Në këtë zonë banojnë disa dhjetra mijëra banorë, të cilët kanë ndërtuar jetën dhe biznesin e tyre të përditshëm. Kjo zonë është një “bombë elektorale” për Erion Veliajn, e tillë, që, edhe nëse kandidohet, mund t’i shkaktojë humbjen në zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit 2019.
Ndaj, ai ka zgjedhur që, të paktën në momentin e parë, t’i shmanget protestës së banorëve të Unazës së Re, me shpresën që intensiteti i reagimit qytetar do të zbutet.
/Boldnews.al