Mijëra demonstrues në Beograd dolën në rrugë, përkundër borës dhe të ftohtit. Në duar mbanin pankarta me mbishkrimet “Vuçiqi – hajdut”, “T’i jepet fund këmishave të përgjakura”, “Deri kur do ta durojmë të keqen?”. Demonstruesve u prinin ish-ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq, ish – kryetari i Beogradit, tani një ndër liderët opozitarë, Dragan Gjillas, dhe krerët e disa partive më të vogla. Demonstruesit fishkëllonin me bilbilë, bori dhe brohorisnin kundër presidentit dhe qeverisë, që të kujtonte kohën e protestave të viteve 90-të, kur në krye të kolonave protestuese ishin ish-kryeministri Zoran Gjingjiq dhe lideri i opozitës Vuk Drashkoviq. Protestat kanë rezultuar në tetor të vitit 2000 me largimin e Sllobodan Millosheviqit nga pushteti, dërgimin e tij në Hagë, ku akuzohej për krime lufte, ku edhe vdiq në burg.
Protestat po zhvillohen nën moton “T’i japim fund këmishave të përgjakura” (me të cilën kërkohet fundi i dhunës ndaj politikanëve opozitarë, pas rrahjes së ish – drejtuesit të delegacionit serb në dialogun me Kosovën, Borko Stefanoviq – i cili tani është në opozitë. Ai është rrahur nga simpatizantët e qeverisë në qytetin Krushevac, në Serbi.
Opozita fajëson Vuçiqin
Persona të panjohur me këmisha të zeza kanë rrahur politikanin tani majtistin, Borko Stefanoviq në Krushevc. Por përfaqësuesit e opozitës fajësojnë presidentin Vuçiq dhe qeverinë për këto aksione të dhunshme. Më pas dhunuesit janë kapur, por opozita vazhdon të fajësojë Vuçiqin. Ata thonë se presidenti me retorikën e tij ka nxitur dhunën ndaj opozitarëve dhe ka krijuar një atmosferë për aksione të dhunshme në vend.
Aksionet e tanishme kundër qeverisë dhe Vuçiqit janë mbajtur para presidencës dhe televizionit shtetëror RTS. Demonstruesit po protestojnë edhe kundër kontrollit ndaj mediave dhe për liri të shtypit. Por ata fajësojnë Vuçiqin edhe për politikën e dështimeve në Kosovë.
Themelimi i ushtrisë së Kosovës shkak tjetër i tendosjeve
Në Serbi aktualisht po vazhdon një tendosje e thellë për shkak të krijimit të ushtrisë së Kosovës, respektivisht transformimit të FSK në ushtri. Parlamenti i Kosovës ka votuar të premten e kaluar tri ligje për transformimin e FSK në ushtri. Kjo është pritur me reagime të ashpra në Beogradl, ku thuhet se Serbia nuk do të lejojë aksionet e dhunshme ndaj serbëve në Kosovë. Presidentit Vuçiq ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të KS të OKB, të hënën në Nju Jork. Zhvillimet e fundit janë përdorur nga opozita për të kritikuar politikën e deritanishme të qeverisë serbe dhe presidentit Vuçiq ndaj Kosovës.