Sot shqiptarëve u janë kursyer miliona euro, të cilat Rama kishte në plan t’i vidhte e t’i çonte në parajsa fiskale

Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është bashkuar pasditen e sotme protestës së Unazës së re (ish-Astir) bashkë me banoret që qeveria Rama kërkon t’u rrëzojë banesat. Basha tha gjatë fjalës së tij se, Falë qëndresës së qytetarëve të Unazës së Re, sot shqiptarëve u janë kursyer 5 milionë euro, të cilat Edi Rama kishte në plan t’i vidhte e t’i çonte në parajsa fiskale.
Fjala e plotë e Bashës
Përshëndes banorët e Unazës për qëndresën e jashtëzakonshme, e cila sot ka hyrë në ditën e 89. Dua të ndaj sot me qytetarët lajmin se kurajo e tyre ka infektuar gjithë Shqipërinë, nga Shkodra në Vlorë, nga Kavaja në Korçë, qytetarët vlerësojnë qëndresën e banorëve të Unazës së Re, qëndresën e tyre të drejtë në mbrojtje të banesave të tyre, në mbrojtje të ligjit dhe të kushtetutës. Falë kësaj qëndrese sot është arritur një fitore tjetër. Ishte planifikuar që tenderi t’i jepej me vlerën e plotë, për të zëvendësuar kompaninë e kapur në flagrancë nga denoncimi i opozitës dhe denoncimet e medias, një kompanie tjetër, me 5 mln euro më tepër ofertë se oferta më e ulët.
Falë qëndresës së qytetarëve të Unazës së Re, sot shqiptarëve u janë kursyer 5 milionë euro, të cilat Edi Rama kishte në plan t’i vidhte e t’i çonte në parajsa fiskale. Ka ndodhur kjo vetëm për shkak të qëndresës, vetëm për shkak të protestës së pandërprerë këto banesa janë akoma në këmbë. Vetëm për shkak të qëndresës, e ardhmja e këtyre fëmijëve nuk është rrënuar nga buldozerët e krimit dhe të korrupsionit. Dhe për shkak të kësaj qëndrese, ka përfituar çdo shqiptar, sepse deri më sot, frika që e ka kapur Edi Ramën e detyroi të tërhiqet edhe nga tenderi i dytë korruptiv për Unazën.

Por sot ëshë dita të kujtojmë se akoma asnjë person i vetëm nuk ka marrë përgjegjësitë ligjore dhe penale për këtë aferë korruptive, e cila është shpalosur para syve të të gjithë botës me çmimin 20 milionë euro për kilometër dhe me zhvendosjen korruptive të Lumit të Lanës për projektin 60 milionë euro të pastrimit të parave të drogës trafikantit, mikut të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Taulant Ballës.
Asnjë përgjegjës sepse shteti ka rënë, drejtësia është kapur dhe qeveria dhe Edi Rama kanë braktisur detyrën, kanë braktisur qytetarët, i kanë lënë në mëshirë të fatit, i dhunojnë, i tallin, i përbuzin. Në këtë situate të rëndë, opozita e ka kryer detyrën e saj dhe i ka dalë borxh duke shterruar çdo hapësirë institucionale dhe politike. Sot jam këtu për t’u bërë thirrje gjithë qytetarëve të Tiranës, se ndërkohë që ne ndodhemi këtu, në Këshillin Bashkiak Erion Veliaj po kalon dy akte të tjera të rënda korruptive: një akt korruptiv për të shembur një pjesë të Policisë Bashkiake dhe për t’ia dhënë për ndërtim një kompanie të akuzuar për lidhje me pushtetarët dhe pastrimin e parave të drogës dhe një tjetër akt korruptiv, për dhënien me koncesion të parkimeve në qytetin e Tiranës.
E gjitha kjo, qytetarë të Tiranës bëhet që t’ju zhvasin ju, t’ju zhvasin ju dhe të zhvasin të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë përmes një skeme totalisht korruptive. Kjo bëhet në kurriz tuaj, ndaj ju bëj thirrje të ngriheni të protestoni për xhepat tuaj, për të ardhurat tuaja, për të ardhmen tuaj dhe për fëmijët tuaj.
Protestoni këtu, tek Astir-i, protestoni tek Bulevardi i Ri, protestoni në Shkozë dhe bashkohuni masivisht me datë 16 shkurt, ku siç e tha artisti i jashtëzakonshëm, që ndodhet natë për natë këtu dhe nuk e ndalon dot as terrori i drejtuesve, që i paralajmëroj sot se do të japin shumë shpejt llogari,”t’i japim një grusht këtij mali të korrupsionit, të vjedhjes, nëpërkëmbjes dhe poshtërimit, t’i jap një grusht mu në zemër pushtetit korruptiv të Edi Ramës dhe ta shtrijmë përdhe. Ju keni të drejtën, ju keni forcën, ju keni kurajon, jepjani dorën njëri-tjetrit, jepjani besën njëri-tjetrit, t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve më 16 shkurt.

Artikulli paraprakHetimet e Prokurorisë kundër VOA/ Basha: Prokuroria meriton grushtin e protestës, njësoj si Rama e Veliaj
Artikulli tjetërAvokati publikon dokumentat: Ku u zhdukën 50 miliardë lekë 2 ditë pas dorëheqjes së Linda Ramës?