Protesta e studentëve vijon dhe shumë prej tyre shprehën të vendosur për të vijuar kauzën duke shtuar se nuk do të tërhiqen deri në përmbushjen e kërkesave. Pas protestave në rrugë, studentët kanë zgjedhur një formë tjetër duke u ngujuar brenda ambienteve të fakultetit.
Ditën e sotme ka pasur përplasje tek Fakulteti i Ekonomisë, ku krahas bllokimit të derës, janë nxjerrë jashtë edhe punonjësit e administratës.
Studentët kanë bllokuar derën hyrëse të fakultetit me karrige si shprehje e rezistencës dhe vendosmërisë për pikat që kanë parashtruar për qeverinë.
Gjithashtu studentët e fakultetit të Ekonomisë kanë publikuar të dhënat në lidhje me një votim që kanë kryer, teksa nënvizohet se shumica dërrmuese e tyre vijojnë qëndresën.