Policia e Kosovës ka hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve serb afër kufirit të Bërnjakut. Sipas raportimeve për mediat, ngjarja ka ndodhur pak para orës 17:00.
Mësohet se deri tani nuk ka të lënduar, ndërsa protestuesit janë tërhequr dhe po mblidhen nëpër lokacione të ndryshme dhe në numër më të vogël.
Situata është e qetë, por nën tension. Serbët janë mbledhur në protestë për shkak të masave të reciprocitete të palës kosovare ndaj targave serbe, pas skadimit të marrëveshjes më 15 shtator.
Autoritetet në Kosovë sot nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia.
Veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.