Nga Artur ZHEJI
Jemi duke jetuar në një teprim të madh. Një qeveri, moralisht e rrëzuar disa herë, kërkon të mbahet më këmbë, tërhiq e mos e këput.
Dekërbishtizimi, është një tipar që ky kryeministër, po mundohet të ushtrojë, sëpari në palestrën e tij mendore, më pas në palestrën e ushtrimeve vetmitare, e sot, në qajen publike.
Dekërbishtizimi është heqja e kërbishtes, ose heqja e shtyllës kurrizore, që të lejon përkuljen e shumtë deri në këmbëputhje, kamaleontizmin e qënies përpara kamerave, si një gjynafqar që i ka rënë për pjesë, një Shqipëri që nuk e meriton, por që ay, Kryeministri e lajkaton plot shpresë…
Kështu ka bërë ky njeri i gjatë, por krejt i dekërbishtizuar, në lojën e vjetër dinake, ndërmjet Metës dhe Fatos Nanos, duke ua hedhur të dyve, pastaj përsëri me Metën dhe kundër Metës, ndërsa tani një grabitqar që pas grabitjes së rradhës, drejton gishtin diku tjetër, sepse e keqja është gjithmonë tjetërkund dhe askurrë tek ay vetë, Kryeministri.
Sepse ku do të mund të shkojë ay, nëse e rrëzojnë si kryeministër, a di vallë, me të vërtetë të rindërtojë një jetë tjetër?
Kjo është në të vërtetë pikëpyetja e tij dhe jo e shqiptarëve. Sëfundmi ay po kupton, edhe shqiptarët po kuptojnë, se ky kryeministër dhe populli, kanë axhenda të ndryshme dhe hap pas hapi, axhenda të kundërta.
Gazi lotsjellës dhe muskujt e policisë, janë streha e fundit e rregjimeve në rënie dhe janë në të vërtetë përpëlitje apo kafshime të krijesës së plagosur pa shpresë, që kafshon për instikt, por pa e ndrruar dot rrjedhën e gjërave që kanë marrë tatëpjetën.
Personalisht, më vjen shumë keq, që duke shkelur mbi kohën time, shkruaj edhe bëj analiza, për aktin e fundit të një dështimi, që filloj pak vite më parë si një alternativë shtetformuese e një zotërie që e kam ndihur me zell dhe sinqeritet të plotë, në rininë e vet, por vërej, pa ndonjë kënaqësi te veçantë që 20-30.000 njerëz të panjohur për mua i lexojnë dhe u zbardhen ca dritë hije. Dhe kjo është e dobishme.
Dhe atyre u them, se protestat, instrumenti i sotëm kundër këtij rregjimi dhe kultura e nesërme për të parandaluar rregjimet, është shansi ynë i fundit, që të këpusim zinxhirët e tiranisë së të fortëve, të monopoleve të oligarkëve që dhjetëra fishojnë paratë e tyre dhe nuk pjerdhin asfare për të përditëshmen dhe hallet tona jetike.
Edhe këta dezertorët e Kuvendit, që po aplikojnë për tu bërë deputetë në këto kohëra zymtake, në kërkim të një llokme në kurriz të partive të tyre opozitare, do të harroen shpejt, sepse urragani i protestave do ta spastrojë kënetën, nga banorët e vet të fundit dhe ndoshta do të vendosen më në fund ca rregulla të reja.
Porse para së gjithash, do të hidhen në det, ca rrangulla dhe do të futen sërish në ca vrima miu, ushtria e banditëve që kontrollon territorin e qyteteve dhe burimeve tona ekonomike, sot më shumë se asnjëherë tjetër…