Nga Pashk Ndoci
Perse PD ka zaptuar sheshet gjithmonë dhe zgjedhjet nuk i ka fituar kurrë mbas vitit 1992?
Demokratët do të mbahen mend për numrin e madh të protestave opozitare të zhvilluara, nga ana tjetër historia i ka ndëshkuar, kur kemi fituar, edhe atëherë me ndihmen e të majtëve, Metes, Xhuvelit, Rames dhe shkermoqjes së brendshme të PS. Justifikime ka plot per humbjet e PD, por arsye kryesore është devijimi nga e djathta reale dhe ndërtimi i një PD-je me program të djathtë, por me njerëz të majtë sa per karrige dhe luftes ndaj eksponenteve të djathtë. Pra kemi aderuar në një parti që ka qënë fallco në organizim të strukturave, në demokracinë e brendshme dhe në programin e saj!
Partia Demokratike e ka filluar betejen e saj në Sheshin Skenderbej me rrëzimin e statujes së diktatorit komunist dhe nuk u nda nga Sheshi Skenderbej per 33 vite. I takonte ta mbante ketë staturë sepse aty u promovua liria dhe pluralizmi. Nëse shikojmë sot çfarë ka ndodhur per keto 33 vite, PD është një misionare e dështuar. Dikush do të thotë se kemi fituar në vitin 2005, por nuk është e vertetë, ne morem 70 mandate ku njëri prej tyre ishte ai i Luan Skuqit i dhuruar nga Edi Rama, i cili futi kandidat socialist përballë po kandidatit socialist që mundësoi PD të fitojë në një zonë që fitonte xhaketa e një të majti.
Protestat e PD kanë qënë gjithnjë me një motiv dhe slogan publik, por gjithnjë ato kanë patur nga mbrapa një qëllim tjeter. Është shumë gjatë të analizojmë çdo protestë, prandaj po merremi me ketë të fundit, e cila u nis me kerkesen per lirimin e liderit opozitar, u korigjua me kerkesat ndaj Edi Rames per qeveri teknike dhe per rotacionin politik. Kush nuk do ti donte keto dy kerkesat e fundit? Por populli nuk i besoi keto edhe sepse jane kerkesa absurde, por edhe sepse ky popull është mësuar me mashtrimet e PD dhe nuk doli masivisht në protestë.
Cila ishte arsyeja kryesore e kësaj proteste?
Së pari, ka të bëjë me betejen e brëndshme brënda PD, të tregojë se kjo parti ka kryetar Sali Berishen dhe mos të harxhojnë frymë grupi Gaz Bardhit apo Jorides. Nga ana tjeter është një presion që u bëhet ndjekësve euroatlantik të Lulzim Bashes që t’i lëkundë ata në qëndrimet e tyre, një betejë që duan ta fitojnë pa kosto, ti marrin ata demokratë si “delet” e humbura…
Së dyti, dhe që është më e rëndësishmja, kjo protestë ka të bëjë me presionin ndaj drejtësisë dhe ndaj SPAK, u tha atyre që të mos guxojnë të veprojnë ndaj SB, IM, dhe gjithë kupoles së korruptuar të Partisë Demokratike e deri në bazë, por kryesisht ndaj këtyre të parëve. Kjo është shumë e rëndë, nuk e di se kush mundet ta besojë se PD vjen në pushtet duke bërë presion ndaj drejtësisë?
Pra edhe kesaj herë, demokratët e gjorë u perdoren per qellime të mbrapshta, fatkeqësisht…
Sa më shumë të vonojë drejtësia, aq më shumë është Edi Rama në pushtet. Kjo dyshe qeveri – opozitë kanë mbyllur rrugët per krijimin e një poli të ri opozitar, të gjitha metodat do ti perdorin që të mos krijohet. Rruga e vetme është një lëvizje antiestablishment, edhe se unë personalisht i perkas sadopak establishmentit moral!