Sot në orën 11:00 përpara godinës së Kryeministrisë do të zhvillohet një protestë e thirrur nga aktivistë të shoqërisë civile kundër faljes së detit nga Tirana zyrtare, Greqisë.
“Përpara Kryeministrisë duhet dalë nga të gjithë, sa më shumë, pa flamuj partish dhe bindje ideologjike, sepse duhet t’ua bëjmë të qartë që çështja e të falurit det apo tokë njërit apo tjetrit, nuk është në diskutim. Është një çështje që të gjithë ata që janë sot dhe do të vijnë në pushtet nesër e pasnesër, duhet ta kenë të qartë! Ne s’kemi tokë për të shitur e as për të falur!!
Le të hapin sa negociata të duan, të takohen sa herë të duan, të diskutojnë për çfarë të duan, një gjë duhet ta vënë vath në vesh – Shqipëria s’ka as tokë as det për të shitur! Të dalim sot që e kemi falas, sepse nëse s’dalim, nesër mund të na ketë kushtuar shumë shtrenjtë”, shkruhen në njoftimin e Nsimës Thurje.
Protesta ka marrë mbështetjen edhe të grupimit “Tifozët Kuq e Zi”, që janë edhe mbështetësit më të zjarrtë të Kombëtares. Duket se këtë radhë tifozët kanë lënë mënjanë futbollin dhe do të mbështesin protestën kundër faljes së detit.
Pak ditë më parë, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias deklaroi se Shqipëria ka pranuar zgjerimin e ujërave greke me 12 milje detare.