Aktivisti Arben Kola ka qenë i ftuar në studion e lajmeve në Fax News, ku ka paralajmëruar një protestë që do të mbahet ditën e nesërme, kundër ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi.
Sipas Kolës, Klosi është i paaftë dhe për shkak të mungesës së reagimit të tij po shkatërrohen pasuritë kombëtarë si natyra dhe trashëgimia kulturore.
“Duke marrë shkas dhe nga lajmërimi për dhënien me qera të Syrit të Kaltër për një shumë qesharake prej 60 eurosh, ministri Blendi Klosi në mendimin tim është një tutkun dhe një pijanec, pasi një ditë më pas tha se ai nuk dinte asgjë.
Nesër në 11 e 30 ne do të marshojmë drejt Ministrisë së Mjedisit, ku do ti kërkojmë Blendi Klosit që ti japë fund këtyre projekteve, në të kundër duhet të japë dorëheqjen. Ne duhet ti themi ndal këtij shkatërrimi!
E vetmja vlerë që i ka ngelur Shqipërisë janë pasuritë natyrore, të gjithë të huajt vijnë për trashëgiminë dhe për traditat, nëse ne i shkatërrojmë ato, atëherë për çfarë do të vijnë ata, që të shohin sa i bukur është ministri?!
Ne nuk duhet të presim që të reagojë Leonardo Di Caprio, që të kujtohemi për Vjosën, pse duhet të presim ne të huajt për të na treguar vlerat që ne kemi”, u shpreh Kola në Fax News.