Qytetarët dhe banorët e zonës tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë u hodhën sërish në protestë dje pasdite kundër ndërtimit të një pallati në vend të parkut të fëmijëve. Protestuesit kanë bllokuar rrugën e “Kavajës” nga ish-Parku i Autobusëve deri tek “21 Dhjetori”, duke krijuar kaos në qarkullimin e mjeteve. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të Policisë Bashkiake për të shpërndarë protestuesit. Policia e Veliajt janë përleshur me protestuesit, duke tentuar t’i largojnë parkun fëmijëve, ku prej tre ditësh ka nisur ndërtimi i një pallati.
Banorë të indinjuar dhe të irrituar nuk pranojnë të largohen nga protesta, duke u përleshur me policët bashkiakë. Protestuesit kërkuan ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe i bënë thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që të mbajë premtimet për të mos ndërtuar në parqe dhe lulishte.
Protestuesit shembën murin rrethues ku kishin nisur punimet dhe hodhën parulla, “Poshtë diktatura”, “Parku i qytetarëve”, “Mafia e betonit”. Protestuesit nuk kanë pranuar të largohen, ndërsa forcat e policisë janë shtuar edhe më tepër pas reagimit të protestuesve. “Këtu kanë ardhur mbrëmë natën 5 kamionë të mëdhenj dhe 4 fadroma, duke prishur parkun për të ndërtuar një pallat. Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë prishjen e parkut të fëmijëve”, u shpreh një nga protestuesit që mbante një megafon në dorë. Protestuesit thirrën të gjithë njëherësh poshtë “Mafia e betonit”.
“Nuk lejojmë të hidhet qoftë edhe një lopatë beton këtu. Ose të tërhiqet Veliaj ose ne dalim të gjithë këtu të qëndrojmë ditë dhe natë derisa të vendosim të drejtën tonë në vend”, tha një tjetër banor. “Po na mohojnë të drejtën e ajrit të pastër. Rrëzuam gardhin sot, na duket tamam siç kemi rrëzuar bustin e diktatorit. Askush nuk mund të tallet me ne”, u shpreh një tjetër banor.
Katër ditë pas përfundimit të votimeve, Veliaj nisi ndërtimin e një kompleksi pallatesh në parkun e fëmijëve tek ish-Parku i Autobusëve. Mesnatën e të enjtes, banorët panë se lulishtja pranë godinës së Policisë Bashkiake ishte rrethuar. Ata shprehën se disa punëtorë erdhën si skutha dhe rrethuan zonën natën në mënyrë që të mos binin në sy. Të pyetur nga banorët se përse po e rrethonin lulishten, punëtorët ishin shprehur se, “ashtu kishin urdhër”. Të gjithë shprehën shqetësimin e tyre ndaj Lali Lekut, i cili po lejonte që menjëherë pas sigurimit të votës, të zhdukej lulishtja dhe të ndërtoheshin pallate. “Nuk dimë ku të kalojmë”, “nuk dimë ku të rrimë tani”, shprehen të shqetësuara disa gra të moshuara.
I vetmi park për fëmijët e qytetarët në Tiranë, ai pranë Rrugës së “Kavajës” që u ndërtua gjatë kohës që Bashkia e Tiranës drejtohej nga Lulzim Basha, do të zhduket për t’u shndërruar në një kompleks të ngjeshur pallatesh. Një leje ndërtimi e firmosur nga kryebashkiaku Erion Veliaj i ka hapur rrugën rrethimit të gjithë parkut me qëllim nisjen e hedhjes së themeleve për ndërtimin e kompleksit të pallateve atje. Ky vendim është një aferë e pastër korruptive, pas të cilit fshihet ortaku i ngushtë i Ramës, Besnik Sula, kompania e të cilit ka marrë lejen për ndërtimin e kompleksit. Besnik Sula është një nga oligarkët që vijon të majmet nën qeverisjen Rama. Ai sot mbizotëron falë favorizimit të pushtetit në sektorin e ndërtimit, dy sektorët më kyç në zhvatjen e qindra miliona eurove.
Sapo filloi prishja e parkut të fëmijëve, qytetarët u ngritën në revoltë. Me anë të një postimi në Facebook, “Qytetarët për Parkun”, një grup ambientalistësh e aktivistësh, njoftojnë se kryebashkiaku Veliaj ka dhënë lejen për ndërtimin e një kompleksi pallatesh, tek lulishtja pranë Policisë Bashkiake, tek zona e njohur si ish-Parku i Autobusëve.
Një muaj më parë, në këtë zonë punonjësit e Bashkisë Tiranë shkulën pemët dhe i hapën rrugën e betonizimit kësaj hapësire të vogël publike që i ka shërbyer deri më tani banorëve të kësaj zone. Sipas “Qytetarëve për Parkun”, “firma ndërtuese do të jetë ‘Arlis Ndërtim’, e Besnik Sulajt, pronarit të Taivan dhe Armos”. Lulishtja pranë Policisë Bashkiake u inaugurua në prill të vitit 2015 nga ish-kryebashkiaku Basha. Kryeministri Rama tentoi disa herë të bllokonte projektin që do ta kthente zonën nga një hapësirë për mbetje inerte e mbeturina në një hapësirë të gjelbëruar në shërbim të qytetarëve që jetojnë në atë zonë.
Asnjë televizion nuk transmeton protestën
Asnjë televizion nuk e transmetoi protestën e banorëve kundër ndërtimit të kompleksit të pallateve tek parku i fëmijëve tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë. Banorët e zonës dhe qytetarë të shumtë u ngritën sërish për të protestuar kundër ndërtimit të një kompleksi pallatesh në lulishten pranë ish-Parkut të Autobusëve, por kjo protestë nuk është transmentuar nga televizionet e blera nga Veliaj.
Megjithatë, pamjet filmike u transmetuan nëpërmjet disa videove të shpërndara në rrjetet sociale. Në video duket se si Policia Bashkiake përdor forcën për të shpërndarë qytetarët që protestonin kundër ndërtimit të një blloku pallatesh në vend të një parku publik. Në video shihet se si policia e Veliaj tërheq zvarrë protestuesit.
Dhjetëra protestues tek ish-Parku shoqërohen në komisariat
Policia Bashkiake e Veliajt shoqëroi disa protestues pjesëmarrës në protestën kundër përdorimit të lulishtes pranë ish-Parkut të Autobusëve për ndërtimin e kompleksit të pallateve. Qytetarët u grumbulluan dje pasdite rreth orës 19:00 për të dytën ditë me rradhë, për të shprehur mosdakortësinë e tyre për shkatërrimin e lulishtes dhe ndërtimin në vend të saj të një kompleksi pallatesh.
Banorët janë kundër vendimit të firmosur nga kryebashkiaku Veliaj dhe janë konfliktuar me ndërtuesit dhe policinë. Banorët kanë prishur edhe një pjesë të gardhit rrethues të kantierit të ndërtimit. “Parku është i qytetarëve”, kanë thirrur banorët, të cilët nuk duan që lulishtja e lagjes të kthehet në pallate. Në vendngjarje janë edhe forca policore. Një pjesë e rrugës kryesore është mbajtur e bllokuar nga qytetarët.
Protesta e banorëve kundër ndërtimit të kompleksit të pallateve në lulishten e fëmijëve po zhvillohet prej dy ditësh, por televizionet e kanë çensuruar atë me urdhër të Veliajt. Menjëherë pas përfundimit të votimeve, Veliaj nisi ndërtimin e kompleksit të pallateve në parkun e fëmijëve, por banorët janë ngritur në revoltë ndaj tij.
Banorët po protestojnë kundër vendimit të firmosur nga kryebashkiaku Veliaj dhe janë konfliktuar edhe me ndërtuesit. Banorët kanë prishur edhe një pjesë të gardhit rrethues të kantierit të ndërtimit, por janë përleshur me forcat e Policisë Bashkiake. “Parku është i qytetarëve”, kanë thirrur banorët, të cilët nuk duan që lulishtja e lagjes të kthehet në pallate. Një pjesë e rrugës kryesore është mbajtur e bllokuar nga qytetarët, të cilët kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë kurrsesi ndërtimin e pallateve në vend të lulishtes së fëmijëve.
R.POLISI