Dhjetëra mijëra protestues mbushën rrugët e Hagës, duke i kërkuar qeverisë holandeze të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj luftës që po zhvillon Izraeli në Rripin e Gazës.
Organizatorja e protestës, Oxfam Novib, deklaroi se rreth 100.000 vetë morën pjesë në marshim, shumica të veshur me të kuqe për të simbolizuar nevojën për një “vijë të kuqe” ndaj rrethimit të Gazës nga Izraeli, ku janë ndërprerë furnizimet me barna, ushqime dhe karburant.
Marshimi kaloi gjithashtu përpara selisë së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila po shqyrton një padi të paraqitur nga Afrika e Jugut që akuzon Izraelin për gjenocid. Vitin e kaluar, kjo gjykatë kishte urdhëruar Izraelin të ndalonte ofensivën ushtarake në qytetin Rafah, në jug të Gazës.
Izraeli ka hedhur poshtë akuzat për gjenocid si të pabaza dhe ka deklaruar para gjykatës se operacionet e tij në Gaza janë akte vetëmbrojtjeje, që synojnë luftëtarët e Hamasit të cilët sulmuan Izraelin më 7 tetor.
Organizata Oxfam Novib ka akuzuar qeverinë holandeze se po injoron, sipas saj, krimet e luftës që po kryen Izraeli në Gaza, dhe ka bërë thirrje që protestuesit të kërkojnë një qëndrim më të fortë nga autoritetet.
Ministri i Jashtëm i Holandës, Kaspar Veldkamp, deklaroi më herët këtë muaj se do të donte që Bashkimi Evropian të rishikonte marrëveshjet e bashkëpunimit që ka me Izraelin.
Megjithatë, qeveria holandeze deri tani ka shmangur të mbajë një qëndrim më kritik ndaj Izraelit. Kreu i partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, populisti kundër emigracionit Geert Wilders, ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e tij të palëkundur për Izraelin.
Në një postim në platformën X, Wilders akuzoi protestuesit e sotëm se janë “të hutuar” dhe se mbështesin Hamasin.