Bashkia e Korçës ka larguar bizneset që operonin tek pazari karakteristik, të cilët sipas saj nuk përmbushën kushtin për përzgjedhjen e një prej aktiviteteve të afishuara më herët nga Bashkia, kryesisht për tregtim të produkteve artizanale. Por pronarët e bizneseve kundërshtuan aksionin e Bashkisë, duke e cilësuar të padrejtë. Pas disa orë debate, policia shoqëroi në komisariat disa prej tregtarëve.
Protesta e bizneseve që ushtronin aktivitetin te pazari karakteristik i qytetit të Korçës, u mbështet dhe nga PD e degës. E kontaktuar, Bashkia e Korçës thotë se, të gjithë tregtarët u larguan nga zona e restauruar e pazarit të vjetër, pasi çdo aktivitet që do të ushtrohet aty, duhet të ruaj me fanatizëm, tradicionalen për të promovuar vlerat e trashëguara ndër breza të qytetit juglindor.
Në pazarin karakteristik të Korçës është bllokuar ushtrimi i aktivitetit për tregtarët që ndër vite operonin në këtë zonë. Pas restaurimit, Bashkia e Korçës vendosi që në zonë do t mbaheshin të hapura vetëm aktivitetet tregtare që kurojnë traditën dhe promovojnë trashëgiminë etnografike e kulturore.
Pronarët e bizneseve janë shprehur kundër këtij vendimi, pasi pretendojnë se në shkresën e Bashkisë thuhet për transferim ose për qëndrimin në po të njëjtën zonë, duke pranuar kushtet e Bashkisë për llojin e aktivitetit. Pas disa orëve protesta dhe përplasje, Bashkia mbylli dyert e bizneseve, ndërkohë që policia shoqëroi në komisariat këdo që e kundërshtonte këtë vendim.
Burime nga vendngjarja thanë se të pranishëm tek pazari i Korçës ishin përfaqësues të PD-së në Korçë dhe drejtori i Departamentit të të Ardhurave dhe Kontrollit të Territorit, Kletjon Kita, si përfaqësues i Bashkisë. Përfaqësuesit e PD-së dhe Kita patën debate të forta me njëri-tjetrin. Sipas opozitës, vendimi për mbylljen e bizneseve është i paligjshëm, pasi në shkresën e Bashkisë së Korçës, nuk thuhej për mbyllje të bizneseve, por për transferim.
Nga ana tjetër, Kletjon Kita, duke iu drejtuar pronarëve të dyqaneve është shprehur se ata janë njoftuar nga Bashkia për largimin e mallit. Përfaqësuesit e PD-së, thanë se Bashkia kishte që në orën 09:00 që kërkonte të mbyllte bizneset pa asnjë shkresë. Pas debateve, përfaqësuesi i Bashkisë Korçë i tregoi atyre shkresën e Bashkisë, por sipas drejtuesve të PD në Korçë, ajo shkresë nuk ishte e ligjshme.