Protestë në Spaç: Kundërshtohet ndërhyrja pa kriter në ish-burgun komunist

Nga Elvis Hila

Për herë të fundit, në Spaç u protestua në vitin 1973 dhe regjimi i Enver Hoxhës u përgjigj me pushkatime dhe dënime të reja me punë të rëndë në minierat e bakrit.

Pesë dekada më vonë, nën diellin përvëlues të të enjtes së parë të qershorit, ish-të burgosur politikë dhe familjarët e tyre u ngjitën sërish në malet e Mirditës, aty ku qëndrojnë rrënojat e burgut famëkeq, për të ngritur zërin kundër një projekti restaurimi që, sipas tyre, po e zhvesh objektet nga historia e tyre.

Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe në funksion të një filmi artistik, disa objekte të Spaçi po suvatohen, duke rrezikuar, siç thonë protestuesit, të fshijnë shenjat e së shkuarës që nuk duhet harruar.

“Me këtë ndërhyrje po tjetërsohet identiteti i të vetmit burg antikomunist që ka ngelur ngelur në Shqipëri,” tha Ethem Fejzullahu, kryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politik të Shqipërisë.

Në emër të të gjithë të ish-të burgosurve të regjimit, ai i bëri thirrje qeverisë të heqë dorë nga ky projekt, i cili sipas tij dëmton identitetin e këtij objekti, pjesë e trashëgimisë historike kolektive.

Fejzullahu shpjegoi se të përndjekurit nuk janë kundër ndërhyrjeve apriori, por theksoi se ata kërkojnë që ato të bëhen konform arkitekturës së këtij simboli të diktaturës komuniste.

“Reagimi dhe qëndresa jonë do të jetë e vazhdueshme, deri në ndalimin e këtyre punimeve” tha ai.

Burgu-kamp i Spaçit u ndërtua nga regjimi i Enver Hoxhës në vitin 1968 për të shfrytëzuar punën e krahut të mijëra të burgosurve politikë në nxjerrjen e bakrit dhe piritit në minierë.

Në të njëjtën linjë me Fejzullahun ishin dhe familjarë të ish-të përndjekurve tjerë politikë, të cilët e konsiderojnë absurditet punimet që po kryhen në këto godina, duke rindërtuar dhe suvatuar mure.

“Është absurditet ajo çfarë po ndodh në këtë simbol të diktaturës komuniste”, tha Kol Nikolli, i cili pranoi se godinat kanë nevojë për përforcim, por jo për mure të reja dhe suva që tjetërsojnë identitetin e tyre.

“Nuk do të ndalemi, derisa qeveria ti thotë ndal këtij projekti që e shkatërron burgun e Spaçit”, shtoi ai.

Ndërhyrjet në ish burgun e Spaçit po bëhen nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në kuadër të përgatitjes për një film artistik që do të xhirohet në ambientet e tij nga regjisori Namik Ajazi. Regjisori, më herët i tha BIRN, se ndërhyrjet po bëheshin me miratimin e kryeministrit Edi Rama, i cili i kishte dhënë një miratim verbal punimeve.

Në mbështetje të protestuesve ishte edhe kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, i cili u bëri thirrje autoriteteve qendrore për reflektim dhe transparencë lidhur me projektin.

“Ish-burgu është monument kulture dhe i tillë, i kemi kërkuar ministrisë transparencë në lidhje me këtë projekt që ka nisur që të zbatohet,” tha Mëlyshi, ndërsa shtoi se bashkia ishte në pritje të një përgjigje zyrtare nga institucionet qendrore në lidhje me këtë çështje.

“Në si pushtet vendor absolutisht nuk jemi dakord, që të dëmtohet identiteti i këtij simboli të rezistencës komuniste,” theksoi ai.

“Ne do jemi në mbështetje të çdo veprimi që do ndërmarrin ish të përndjekurit politik në lidhje më këtë çështje”, përfundoi Mëlyshi./ BIRN

Artikulli paraprak“Kam marrë pjesë në tre zbarkime, shqiptarët na dhuruan kallashnikovë” – Rrëfimi i të penduarit italian: Si funksiononte trafiku i drogës me Shqipërinë
Artikulli tjetërPD është si një familje e fortë në një fashat të mbushur me kulakë!