Protestë në Tiranë kundër dhunës ndaj grave

Të indinjuar nga dhuna kundër grave ekspozuar nga video-skandalet në rrjetet sociale, dhjetëra qytetarë bashkuan zërin për të kërkuar barazi gjinore. Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan të premten përpara Piramidës duke mbajtur pankarta që dënonin dhunën ndaj grave. Qytetarët i bënë thirrje autoriteteve të jenë shumë të ndjeshëm ndaj të gjitha formave të dhunës që përjetojnë gratë shqiptare dhe i ndërgjegjësuan këto të fundit të jenë sa më aktive në bërjen publike të dhunës ndaj tyre.
Tre ditë më parë një grua u dhunua barbarisht nga ish-burri i saj në mes të rrugës në qytetin e Vlorës në sy të dy fëmijëve të mitur, të cilët qanin të lebetitur duke u përpjekur të mbronin nënën e tyre. Disa qytetarë u munduan ta largonin bashkëshortin dhunues, por ai vazhdonte të qëllonte nënën e dy fëmijëve, e cila nis të qajë. Rreth vendit të ngjarjes nuk pati punonjës policie, por pas publikimit të videos në rrjetet sociale, agresori u shoqërua në komisariat. Policia e Vlorës ka informuar se burri i dhunshëm që shkelmoi gruan në sy të dy fëmijëve të mitur ishte ish-bashkëshorti i saj, Ilirjan Pajo, 44 vjeç.
E reja M.Çaushaj ka deklaruar se është dhunuar edhe më parë prej tij. Nëna e tri fëmijëve tha se kishte vendosur të fillonte punë duke u përkujdesur për një grua të moshuar, por ish-bashkëshorti e ka kërcënuar dhe ka kërkuar të marrë fëmijët. “Më ka dhunuar edhe më parë. Kam tri vite që jam ndarë dhe e kam kallëzuar dy herë në polici. Ai ka dhunuar edhe vajzën”, është shprehur ajo.

Exit mobile version