Protestë për librat shqip/ Si i gënjeu Rama shqiptarët e Preshevës

Premtimeve nga Tirana, se Vuçiçi do të vërë dorën në zemër dhe do të lejojë mësimin me libra shqip në shkollat e Luginës, u ka dalë boja. Prandaj, në Preshevë shqiptarët u bënë bashkë për të ngritur zërin kundër diskriminimit serb, që paralel me ndalimin e librave, ka intensifikuar përpjekjet për pasivizimin e adresave.

Protesta u thirr për identitet dhe dinjitet. Me këto dy qëllime qytetarë të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dolën në tubim me flamujt kuqezi dhe nën tingujt e himnit kombëtar, ndërsa mbajtën një minutë heshtje për dëshmorët e luftës.

454763430 921906189979704 6106114385826548310 n

Kërkesat modeste, s’kanë ngjashmëri me asnjë vend tjetër të Ballkanit; libra shqip nëpër shkolla dhe ndalim i pasivizimit të adresave të shqiptarëve, si një formë moderne e spastrimit etnik.

Takimi nisi me fjalimin e deputetit shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, që ishte një nga organizatorët e tubimit.

“Pse po ndodh diskriminimi? Sepse piromanët e djeshëm janë shndërruar në zjarrfikës të sotëm. Kanë veshur petkun e reformatorëve demokratikë, por nuk kanë arritur asnjëherë të bëjnë shkëputjen me të kaluarën. Nuk arritën që të heqin dorë nga politikat e kaluara. Aq më keq, me projekte si “bota serbe” po synojnë realizimin e synimeve të viteve 90 kudo që jetojnë” tha ai.

Kamberi solli shembuj jashtë kufijve të shtetit serb, kur bëri krahasimin mes shqiptarëve të Luginës dhe minoriteteve serbe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai vuri në dukje se si serbët ankohen kur shkelen privilegjet e bashkëatdhetarëve të tyre jashtë vendit, ndërkohë që refuzojnë respektimin e të drejtave për pakicat brenda Serbisë.

“Beogradi po luan me standarte të dyfishta. Kërkon për serbët në shtetet e Ballkanit Perëndimor të drejtat e tyre, por refuzon t’i japë pakicave brenda territorit të vet. Kjo politikë e standarteve të dyfishta duhet refuzuar, jo vetëm për hir të shqiptarëve, por për hir të paqes së qëndrueshme” u shpreh deputeti shqiptar.

455113754 538097501886054 1604792555123111265 n

Mësues dhe studentë treguan se si u mohohen tekstet shqip në shkolla para protestuesve që mbanin në duar pankartat ku shkruhej “Kthema adresën”, “Duam libra shqip”, “Dija nuk nostrifikohet”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo”.

Profesori i gjuhës shqipe, Llukman Misini tha se nxënësev shqiptarë po u ndalohen tekstet e historisë dhe të gjeografisë, për të mohuar historinë e Kosovës.

“Ne po vazhdon të na mohohet sigurimi i teksteve shkollore nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë dhe po tentohet të na imponohet vetëm përkthimi i teksteve ekzistuese nga gjuha serbe. Po na ndalohet historia si lëndë dhe libri i historisë ku përshkruhet historia shqiptare. Po na mohohet gjeografia si lënë dhe gjeografia si libër për shkak të përshkrimit të Kosovës shtet” tha mësuesi i shkollës së mesme.

455019855 921905896646400 7323186571732874637 n

Studenti Enis Fejzullahu preku çështjen e mosnjohjes së diplomave. “Studentin e Luginës së Preshevës gjatë kohës së studimeve e pas diplomimit e përcjell barra e mosnjohjes së diplomës, brenga se pas përfundimit të studimeve e frika që nuk do të mund të ushtrojë profesionin e tij, në vendin e tij” u shpreh ai.

Një nga organizatorët, Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, tha se shqiptarët janë etnia më e urryer nga shteti serb, megjithëse në këtë vend jetojnë 24 pakica të ndryshme kombëtare.

454841702 538097218552749 6179946965109030832 n

Librat shqip për shqiptarët e Preshevës janë një shqetësim i vjetër, me të cilin dikur po merrej Kosova. Por që kur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u afrua me presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai mori përsipër ta zgjidhë këtë çështje duke provokuar edhe xhelozi mes shqiptarëve të Kosovës për anashkalimin që po u bëhej.

Në kohën kur Rama nisi të premtonte librat shqip për shkollat në Preshevë, 100 mijë libra prisnin në kufi të dërguar nga qeveria e Kosovës.

Por asokohe Rama e rrëmbeu kauzën e librave shqip dhe nën pozitat e liderit mbarëkombëtar u premtoi shqiptarëve të Luginës se furnizimit me libra do t’u hapej rruga shumë shpejt. Fjalën ia kishte dhënë Vuçiçi në takimin e Nishit.

Statusi që shihni më poshtë është shkruar rreth 8 vite më parë nga Rama, i cili sapo kishte nisur projektin e Nishit, të njohur ndryshe si “Minishengeni ballkanik” apo “Ballkani i Hapur”.

Screenshot 2024 08 12 at 6.41.19 PM 2

“Sot kryeministri Vuçiç, në takimin e përbashkët të zhvilluar në Nish me të njëjtën përfaqësi, u angazhua se do ta mundësojë kalimin e teksteve tona shkollore në Luginën e Preshevës” ka shkruar Rama.

Bashkë me 4 mijë pëlqime për premtimin në rrjetet sociale, Rama mori edhe vlerësimin “Personaliteti i vitit”, nga agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”.

“Edi Rama është i vetmi Kryeministër i Shqipërisë, i cili vizitoi shqiptarët të diskriminuar në Luginën e Preshevës për të përmirësuar gjendjen e tyre” shkruhej në vlerësimin që i bëhej Ramës.

Kuptohej se preshevarët, të lodhur nga diskriminimi i gjatë, panë dritë në fund të marrëdhënies së re që Rama nisi të ketë me Vuçiçin. Kryeministri i Shqipërisë ia ushqeu më tej shpresën me deklaratat e tij.

Çështja e librave shqip në shkollat e Luginës ka qenë një temë për të cilën ai ka premtuar zgjidhje vazhdimisht.

“Për të kuptuar se sa e rëndësishme është ajo që ne bëjmë me Serbinë si Shqipëri, shkoni pyesni shqiptarët e Preshevës” shprehej ai në një intervistë në Klan Kosova.

Pastaj, për ta bërë më të qartë se sa e mirë ishte marrëdhënia e re me Serbinë, vazhdonte: “Më kanë kërkuar që unë të flas me kryeministrin e Serbisë, për librat. Kjo nuk kishte lidhje me librat e historisë. Por janë libra tanë të rinj, të sistemit të reformuar arsimor” shprehej Rama.

Marrëveshja që Rama arriti me Vuçiçin, sipas mediave të Kosovës ishte problematike. Sepse i lejonte Tiranës të furnizojë nxënësit shqiptarë në komunat Preshevë, Bujanoc e Medevgjë me tekste mësimore në gjuhën shqipe, kryesisht të shkencave ekzakte, por jo të shkencave shoqërore.

Problemi mbetej, sepse konteksti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qëndronte tek historia, gjeografia dhe gjuha e letërsia shqipe.

Në vitin 2019, kur zv.ministër i jashtëm ishte Gent Cakaj, qeveria shqiptare njoftoi se kishte bërë gati buxhetin për librat shqip të shkollave të Preshevës. Në vitin 2020, kur ministre e arsimit ishte Besa Shahini, tema ngacmohej sërish, kësaj radhe me një video-montazh shoqëruar me titrat përkatëse. Shiko më poshtë:

“LIBRA SHKOLLORË SHQIP për shqiptarët në Serbi për arsimin parauniversitar. Shumë më pranë shqiptarëve të Luginës me qëllim ofrimin e arsimit sa më cilësor në gjuhën shqipe❤️”, shkruante Rama në 2020.

Por ende sot librat shqip në shkollat e Preshevës mungojnë. Historia dhe gjeografia thonë mësuesit merren ende me shënime, ndërsa vendet fqinj kanë kaluar në mësimdhënien e kompjuterizuar. Premtimet e Ramës janë harruar, ndërsa kamionët me 100 mijë libra që qeveria e Kosovës kishte parkuar në kufi me Serbinë u kthyen mbrapsht.Lapsi.al

Artikulli paraprakPrekëse/ “O kafshë”- Vrasësi i të vëllait mbërrin në gjykatë, motra e Egli Progës me lot në sy ngjitet te kangjellat: Hapuni, dua t’i shikoj
Artikulli tjetërProtestat e dhunshme të studentëve për largimin e saj shkaktuan qindra viktima, ish-kryeministrja e Bangladeshit hetohet për vrasje