Protestuan kundër impiantit të plehrave, Gjykata e Fierit liron 4 të arrestuarit

Gjykata e Fierit liroi dje nga burgu 4 të arrestuarit që protestuan bashkë me qindra banorë kundër instalimit të një incineratori për djegjen e mbeturinave në fshatin e tyre. Gjykata vendosi detyrim paraqitje për protestuesit Aleksandër Bita, Eridjon Jani, Bledion Bita dhe Zylyftar Delibashi. Ky i fundit ishte dhunuar nga policia, ndërsa u vu në pranga. Policia thotë se, arrestimet janë bërë pasi ata persona kanë marrë pjesë në një protestë të paligjshme. Dhe se materialet i ishin kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” të kryera në bashkëpunim.
Protesta e banorëve të Verrisë që kundërshtojnë ndërtimin e impiantit solli edhe konfrontimin e tyre me forcat e policisë. Ata kërkojnë bllokimin e punimeve, duke akuzuar se projekti është vdekjeprurës për ta. Policia duket se ka bërë arrestimet si presion për banorët që të mos dalin më në protesta. Opozita ka akuzuar ministrin e Financave, Arben Ahmetaj se qëndron pas ndërtimit të impiantit të plehrave në këtë zonë.

Artikulli paraprakDrejt lirimit autori i sulmit ndaj anëtarëve të fisit Çapja
Artikulli tjetërVdes një i dënuar në spitalin e burgut Tiranë