Në protestën e djeshme kundër importit të plehrave që u zhvillua para Parlamentit kishte edhe emigrantë. Njëri ndër ta është edhe Hysni Bajri, i cili kishte ardhur nga Gjermania për të protestuar. Bajri është nga Tropoja, por pasi ka mbaruar studimet për arkitekturë në Gjermani, punon si arkitekt dhe jeton atje.
– Çfarë ju ka shtyrë të bëheni pjesë e protestave kundër importit të plehrave duke qenë se ju vetë jetoni jashtë Shqipërisë dhe keni kosto jo të vogla për çdo herë që udhëtoni nga Gjermania për në Shqipëri me qëllim pjesëmarrjen në protesta të tilla?
Unë jam bërë pjesë e kësaj lëvizjeje të shoqërisë civile për mbrojtjen e ambientit sepse rastësisht njoh një nga aktivistet e kësaj lëvizjeje dhe më ka ftuar, më ka treguar temat që i shqetësojnë, problemet që kanë dhe aktivitetet e tyre. Është e vërtetë që unë jetoj jashtë, por që jam i bindur se natyra dhe ambienti janë tema shumë të rëndësishme për secilin nga ne. Nuk është çështja se unë jetoj jashtë, kjo kauzë është e të gjithëve. Edhe pse jetoj jashtë unë dua të kthehem dhe do të kthehem të jetoj në Shqipëri. Për mua Shqipëria është vendlindja, është gjithçka, kjo është arsyeja kryesore se përse jam bërë pjesë e kësaj kauze. Unë nuk dua që kjo gjë e shëmtuar siç është importi i plehrave, që në fakt nuk është thjesht import i plehrave, por është diçka shumë më e rrezikshme. Unë dhe kolegët e mi, të gjithë ata të rinj e të reja që duan që Shqipëria të mos kthehet në kosh plehrash kemi marrë pjesë dhe do të marrim pjesë në të tilla organizime derisa politikanët tanë të kuptojnë që Shqipëria është e të gjithëve dhe jo vetëm e atyre. Ata janë në atë post pikërisht se janë të zgjedhur nga ne. Ne duhet të ndërgjegjësohemi sepse ky është vendi ku jetojmë, nuk kemi vend tjetër dhe e duam të pastër.
– A mendoni ju se aktivitetet e organizuara deri më tani në kuadër të mbrojtjes së mjedisit si për shembull, protestat kundër ndërtimit të HEC-eve në Valbonë dhe Vjosë apo edhe protestat e njëpasnjëshme kundër miratimit të ligjit të importit të plehrave kanë qenë të mirorganizuara?
Sa i përket organizimit të thellë unë nuk kam shumë informacion sepse nuk kam patur mundësi të jem pjesë e të gjitha lëvizjeve apo protestave paralele, por unë di të them që gjithnjë e më shumë po ndërgjegjësohemi se kjo kauzë ka të bëjë me jetën tonë, me vendin tonë, është jetike për të gjithë ne. Nëse ne kthehemi në një hambar plehrash, nëse ne rrezikojmë jetën tonë dhe të fëmijëve tanë, Shqipëria në të ardhmen do të gjendet në udhëkryq. Ne duhet të ngrihemi të gjithë dhe të kuptojmë që nuk po kërkojmë asgjë të tepërt. Unë nuk kam aspak besim tek politikanët, çdo gjë që e kanë marrë ata në dorë e kanë shkatërruar. Ata po na marrin edhe gjënë më të shtrenjtë që kemi, ambientin ku jetojmë, edhe atë po na e helmojnë. Kjo nuk është vetëm çështje shishesh plastike, kjo është diçka shumë më e thellë. Me anë të importit të këtyre mbetjeve hapet një derë shumë më e rrezikshme, ajo e importit të plehrave toksike edhe radioaktive. Pse e them këtë? Europa Perëndimore, por edhe Lindore kanë teknologji të prodhimit të energjisë elektrike me anë të teknologjisë bërthamore, me anë të centraleve bërthamore. Kjo çon në krijimin e mbeturinave dhe pajisjeve metalike si hekur, gizë apo edhe ndonjë material tjetër që janë të kontaminuara. Këto materiale treten në një cikël shumë të ngadaltë, mbi një mijë vjeçar dhe janë jashtëzakonisht të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
– Pse nuk duhet të importohen plehrat nga jashtë shtetit?
Shkaktojnë kancer, shkatërrimin e ADN-së njerëzore. Shqipëria do të shndërrohej në një Çernobil të dytë, pra të gjitha këto mbetje të rrezikshme do të hyjnë Shqipëri në formën e lëndës së parë siç ka thënë zoti Rama. Lëndë e parë gjoja e pastër dhe ne nuk e kemi teknologinë që të përpunojmë të tilla mbetje pa përmendur faktin që ne përditë dëgjojmë raste të policëve të korruptuar që lejojnë futjen e drogërave dhe të tjera gjëra të dëmshme, të cilat janë realisht të dukshme pavarësisht se ata i mohojnë. Ne na mungojnë filtratet e nevojshme për të kontrolluar përmbajtjen e këtyre mbetjeve. Mbetjet janë një problem që ka Europa, e cila nuk di ku t’i çojë dhe e kanë shumë më të thjeshtë t’i shesin, të marrin para nga shqiptarët dhe t’i sjellin tek ne. Edhe pse jetoj në Gjermani unë dua ta ruaj vendin tim, vendlindjen time dhe nuk dua që vendi im të kthehet në një vend të rrezikshëm për fëmijët tanë dhe të vetë jetës tonë.
Bisedoi: Fjoralba TUTI