Protestuesit i bllokojnë rrugën Ramës në Shkodër, 3 në pranga

Banorët e NënShkodrës që protestojnë për paratë e dëmshpëblimit të përmbytjeve i kanë dalë para eskortës së kryeministrit Rama paraditen e djeshme, duke kërkuar takim me të, por kanë përfunduar në pranga. Bëhet e ditur se, organizatori i protestave, Paulin Maçaj, Gjon Lasku dhe Osman Osmani kishin dalë dje që të takonin kryeministrin Rama, i cili ndodhej për takime elektorale në Qarkun e Shkodrës. Policia ka ndërhyrë dhe të tre protestuesit u shoqëruan në ambientet e Policisë, nga ku pas disa orësh janë lënë të lirë.
Bëhet e ditur se, organizatori i protestave Paulin Maçaj dhe dy qytetarët e tjerë të NënShkodrës thanë pasi dolën nga Komisariati i Policisë se, nuk po bënin asnjë organizim të jashtëligjshëm  prandaj edhe ndalimi i tyre ishte i paprecedent. Vetëm pas largimit të kryeministrit nga Shkodra ata janë lënë të lirë.
Para katër ditësh, banorët e NënShkodrës protestuan para Prefekturës, duke akuzuar qeverinë se po i mashtron për dëmshpërblimet e përmbytjeve. Ata thanë se PS po u jep lekë vetëm socialistëve. “Partia Socialiste po ndan lekë në mënyrë të njënashme për dëmshpërblimet e përmbytjeve. Po ju jepen lekët vetëm atyre që janë me Partinë Socialiste, ndërsa ne të tjerëve na mashtruan”, u shpreh një nga banorët e protestës para Prefekturës së Shkodrës.
Banorët e NënShkodrës kërkojnë dëmshpërblimet e përmbytjeve për vitet 2010-2011, ku vërshimi i ujërave u shkatërroi shtëpitë, të mbjellat dhe gjënë e gjallë. Ato akuzojnë se premtimet e qeverisë nuk po mbahen dhe ditët e fundit për shkak të zgjedhjeve, po ndahen në mënyrë selektive nëpër fshatra, para nga përfaqësues të Partisë Socialiste.
Protestat e tyre kanë qenë të vazhdueshme dhe banorët janë të vendosur të mos ndalen, deri në marrjen e qindarkës së fundit, pasi dëmet e shkaktuara asokohe ishin të mëdha dhe pasojat po i vuajnë edhe sot.

Exit mobile version