Në Prishtinë është mbajtur një marsh protestues paqësor për lirimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Me moton “Ramush Haradinaj është Kosova”, protestuesit kanë marshuar nga qendra e Prishtinës deri te ambasada franceze, ku më pas janë shpërndarë të qetë.
Qytetarë të shumtë, organizata të veteranëve të luftës nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe përfaqësues të partive politike, kryesisht opozitare, i janë përgjigjur ftesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke kërkuar nga drejtësia franceze lirimin e menjëhershëm të Haradinajt.
Ramush Haradinaj është ndaluar nga policia franceze në Basel, të mërkurën, mbi bazën e një fletarresti të Serbisë, ku pretendohen dyshimet për krime lufte në Kosovë. Ardian Gjini, anëtar i kryesisë së AAK-së, ka thënë se arrestimi i Haradinajt nga autoritetet franceze me një fletarrest nga Serbia, është poshtërim për Kosovën.
“Nuk është drejtësi me mbajt një njeri që ka vendosur gurin e themelit të lirisë këtu. Edhe Franca edhe Sllovenia dhe Amerika edhe e gjithë bota e lirë i ruajnë gurët e themeleve të pavarësisë dhe të lirisë së vet, edhe ne duhet të ruajmë gurët e lirisë, pavarësisë dhe themelet e shtetit tonë”, ka thënë Gjini.
Ardian Gjini ka kritikuar qeverinë e Kosovës se nuk ka arritur të mbrojë qytetarët e vendit të vet.
“Ne nuk e kemi pasur një qeveri, e cila di të kujdeset për qytetarët e vet, që di të kujdeset për vlerat e lirisë dhe pavarësisë. Asnjë shtet nuk mund të ekzistojë nëse nuk kujdeset për vlerat e veta. Kjo qeveri ka lejuar që Serbia të na poshtërojë në vazhdimësi. Këto poshtërime duhet të ndalen”.
Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook ka thënë se është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish-regjimit të Millosheviçit.
“Është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish-regjimit të Millosheviçit, ndërsa plot shtete të tjera siç janë Gjermania, Austria e të tjerë, tashmë janë ndarë përfundimisht prej atij regjimi dhe nuk i zbatojnë ‘poternicat’ e tyre”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se rrugën e shtetit të Kosovës, nuk do të mund ta ndalë askush. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për rastin e Ramush Haradinajt.
“Grupi parlamentar i AAK-së, ka filluar nismën e thirrjes së një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për çfarë tashmë i ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme, kjo pas situatës së krijuar me zotin Haradinaj, e me kërkesë që kthimi në atdhe i Ramush Haradinajt, të konsiderohet detyrë shtetërore, si dhe të pezullohen bisedimet me Serbinë”, thuhet në një komunikatë për media të AAK-së.
Ramush Haradinaj është paraqitur para gjykatës, por deri në vendimin tjetër, gjykata është shtrënguar të presë kërkesat shtesë që i ka paralajmëruar se do t’i deponojë Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte.