Nga Bato Kosova
Vizita e kreut të PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në Beograd dhe fjalimi i tij i guximshëm për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në Shqipëri kaloi pa vëmendjen e duhur.
Në zemër të Serbisë, Basha ngriti zërin për të drejtat e shqiptarëve të diskriminuar në Luginë dhe kërkoi që kriminelët e Banjskës të hetohen dhe të mos mbrohen nga Serbia. Kjo deklaratë e tij, e thënë me forcë dhe elokuencë, përbën një akt që do të nderonte çdo shqiptar.
Megjithatë, ky akt i guximshëm i Bashës dhe këto deklarata në mbështetje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Kosovë, u përballën me censurë të plotë nga mediat në Shqipëri që kontrollohen nga Berisha dhe Rama, të cilat i shërbejnë në mënyrë të verbër dikotomisë Rama-pushtetin- Berisha-opozitën, si mënyra e vetme për të mbijetuar ekonomikisht.
Ndonëse deklaratat e Bashës kishin rëndësi publike dhe ishin një ogur i mirë për bashkatdhetarët tanë në Luginë dhe Kosovë, televizionet e Shqipërisë janë të gatshme të japin çdolloj budallalliku vetëm deklaratat e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë thënë me guxim dhe kurajo në zemër të Serbisë, jo.
Në një kohë kur politika duhet të veprojë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e kombit, bllokimi i këtij fjalimi tregon një gjendje të mjerueshme të peizazhit politik dhe mediatik në Shqipëri. Kjo sjellje nuk është asgjë më shumë se një përpjekje për të mbajtur debatin publik në “teatrin e kukullave” të Tiranës, ku çdo veprim i rëndësishëm për çështje kombëtare lihet mënjanë, ndërsa promovohet retorika boshe që mbron interesat personale të një kaste të korruptuar politiko-mediatike.
Sjellja e mediave të kontrolluara është një turp për Shqipërinë dhe një sinjal i qartë se ato kanë frikë nga një politikë që vendos interesat kombëtare mbi interesat e ngushta partiake. Ky është një realitet i hidhur, që kërkon reflektim nga të gjithë ne, pasi Shqipëria ka nevojë për një media dhe një politikë që të luftojnë për të drejtat dhe dinjitetin e popullit shqiptar, dhe jo të mbajnë të gjallë “moçalin e qelbur” ku lulëzojnë interesat e tyre të pista./Alfapress.al